RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Grupi gjerman i të drejtave: Incidentet islamofobike në shkollat e Berlinit janë shtuar

grupi-gjerman-i-te-drejtave:-incidentet-islamofobike-ne-shkollat-e-berlinit-jane-shtuar

Një grup i të drejtave me bazë në Berlin ka bërë të ditur se ka pasur një rritje të incidenteve islamofobike në shkollat gjermane për shkak të narrativave anti-muslimane të ekstremit të djathtë dhe zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Drejtoresha e qendrës kundër diskriminimit ADAS, Aliyeh Yegane Arani, duke folur për Anadolu tha se qendra e saj ka marrë gjithnjë e më shumë ankesa në muajt e fundit nga nxënësit dhe prindërit e tyre për akte islamofobike, fyerje dhe ngacmime verbale.

“Më shumë se gjysma e ankesave që kemi marrë janë për incidente të racizmit anti-musliman. Duke marrë parasysh se muslimanët përbëjnë 6 deri në 8 për qind të popullsisë në Gjermani, kjo është një normë mjaft e lartë”, tha Arani.

ADAS me bazë në Berlin ofron këshillim dhe mbështetje për nxënësit, prindërit, mësuesit dhe stafin e shkollës që kanë përjetuar ose dëshmuar diskriminim.

Arani tha se shumica dërrmuese e ankesave që ata marrin janë incidente racizmi dhe krime të urrejtjes ndaj njerëzve me ngjyrë dhe diskriminim anti-musliman.

“Rreth 20 për qind e rasteve kanë të bëjnë në mënyrë eksplicite për racizmin anti-musliman. Këto incidente përfshijnë disa mësues që përdorin shprehje islamofobike ose vajza dhe gra që diskriminohen për shkak të shamive të tyre”, tha Arani.

Ajo theksoi se ka edhe forma të tjera të racizmit anti-musliman që prekin njerëzit që perceptohen si muslimanë për shkak të emrit, pamjes ose origjinës së tyre, por që aspak nuk janë fetarë, ndoshta as muslimanë. Ajo shtoi se këto përbëjnë 40 për qind të ankesave që kanë marrë.

Sipas vlerësimeve të qendrës ADAS, shifrat aktuale të incidenteve islamofobike në shkolla mund të jenë shumë më të larta, pasi shumë nxënës dhe prindër nuk i raportojnë këto tek autoritetet apo qendrat kundër diskriminimit.

“Ka shumë raste që nuk raportohen. Vetëm shumë pak njerëz adresojnë dhe raportojnë incidente të tilla. Shumë prej rasteve në shkolla nuk raportohen dhe nuk adresohen”, tha Arani.

Më tej, ajo theksoi se propaganda e urrejtjes anti-muslimane e grupeve të së djathtës ekstreme dhe narrativat raciste për emigrantët ishin ndër arsyet për rritjen e mprehtë të rasteve islamofobike në vitet e fundit. Ajo gjithashtu tha se ka pasur një rritje të incidenteve të raportuara pas fillimit të luftës së Izraelit në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar.

“Pas 7 tetorit, po marrim një numër në rritje të raportimeve, veçanërisht lidhur me luftën në Gaza. Për shembull, disa nxënës kanë raportuar se kundër vullnetit të tyre janë detyruar të bëjnë deklarata, të shprehin qëndrimet e tyre ose të shprehin atë që mendojnë për konfliktin. Ka pasur një ndalim të mbajtjes së shalleve palestineze ‘kefiyyeh’ në shkolla”, shpjegoi Arani.

Me një popullsi prej mbi 84 milionë banorë, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, vendi është shtëpi e mbi 5 milionë muslimanëve.

Gjermania u përball me racizmin dhe ksenofobinë në rritje vitet e fundit, të ushqyer nga propaganda e grupeve të ekstremit të djathtë dhe grupeve anti-muslimane, duke përfshirë partinë opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Vitin e kaluar, autoritetet gjermane regjistruan të paktën 686 krime islamofobike, duke përfshirë sulme verbale dhe fizike kundër muslimanëve në rrugë, letra kërcënuese të dërguara në institucionet islame, si dhe sulme zjarrvënëse që shënjestronin xhamitë.

Related posts

Eurodeputeti Nemec: Ajo që ndodh në Gaza është një test nëse ne mund të mbetemi njerëz apo jo

admin

Kurti: Në veri kishte tendenca për shembjen e sistemit tonë shtetëror, mbesim aleat i pakompromis i SHBA-së dhe BE-së

rezart morina

Dodik bëri thirrje për bashkimin e Republikës Sërpska dhe Serbisë

rezart morina