Ushtria izraelite arrestoi disa gazetarë në spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës, raporton Anadolu.
“Ata u rrahën brutalisht nga forcat izraelite, ua lidhën sytë dhe i arrestuan”, tha një dëshmitar okular për Anadolu.
Televizioni Al Jazeera me bazë në Katar konfirmoi se korrespondenti i saj Ismail Al-Ghoul ishte në mesin e gazetarëve të arrestuar.
Këtë mëngjes, ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj sulmuan spitalin Al-Shifa, i cili strehon mijëra pacientë të sëmurë dhe të plagosur si dhe njerëz të zhvendosur.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, rreth 80 palestinezë u arrestuan nga brenda objektit.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023. Që atëherë, në Gaza janë vrarë më shumë se 31.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 73.700 të tjerë janë plagosur.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka zhvendosur 85 për qind të popullsisë së Gazës, mes një bllokade shkatërruese të produkteve ushqimore, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.