RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Llogaritë e bllokuara, s’ka paga për punëtorët e Telekomit

llogarite-e-bllokuara,-s’ka-paga-per-punetoret-e-telekomit

Që nga fundi i muajit shkurt llogaritë bankare të Telekomit janë të bllokuara pas vendimit të Gjykatës Komerciale që obligon ndërmarrjen të paguajë 5.7 milionë euro dëmshpërblim. Zyrtarë të Telekomit thonë që nuk kanë asgjë në dorë dhe po presin vendimin e Gjykatës së Apelit pas ankimimit që kanë deponuar.

Rreth 1.700 punëtorë të Telekomit të Kosovës do të protestojnë të martën para zyrave të kësaj ndërmarrjeje për shkak se nuk i kanë marrë pagat e muajit mars.

Pagat nuk janë ekzekutuar pasi që Telekomit i janë bllokuar llogaritë në fund të shkurtit pas vendimit të Gjykatës Komerciale që detyron ndërmarrjen t’i paguajë 5.7 milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë “Dardafon” apo siç njihej në treg “Z-Mobile”.

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë se ata po kërkojnë përmbushjen e një të drejte elementare.

“Telekomi më nuk ka para t’i japë krimit të organizuar, po e them haptas nuk ka më para, që në të kaluarën ka dhënë pa ndërprerë. Sigurisht që nga nesër ne do të kërkojmë të drejtën tonë themelore të garantuar me Kushtetutë që janë pagat e punëtorëve që punojmë për to dhe duhet të paguhemi. Sigurisht që nuk do t’i ndalim këto protesta, do të kërkojmë zhbllokimin e llogarive”, ka thënë Balaj.

Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në këtë ndërmarrje, ka thënë që vendimin e gjykatës së shkallës së parë presin që ta shfuqizojë ajo e Apelit, e, sipas tij, deri atëherë nuk kanë asnjë zgjidhje për pagesa.

“Aktualisht situata siç po duket mund të zgjasë edhe më shumë. Ne presim që vendimi i shkallës së dytë të vijë sa më shpejt. Mirëpo, nëse bazohemi në praktikat e mëhershme, sepse kjo është hera e katërt që rasti kthehet në rigjykim, ato kanë zgjatur deri në dy muaj e gjysmë deri në vendimin e shkallës së dytë. Pra, mund të ndodhë që deri kah fundi i muajit prill. Deri në atë kohë menaxhmenti i Telekomit nuk e ka asnjë mundësi t’i japë pagat”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai ka hedhur kritika në drejtim të Gjykatës Themelore në Komerciale për shkak se, sipas tij, ankesën për vendim ia kanë përcjellë Apelit në momentet e fundit, duke konsumuar kështu të gjithë kohën që e parasheh ligji.

“Është shumë me rëndësi të ceket se mendojmë që shkalla e parë qëllimisht është duke e i bërë padrejtësi Telekomit. Mjafton ta përmendim faktin që Telekomi ankesën ndaj vendimit të shkallës së parë e ka dërguar më 22 shkurt, 4 ditë pas vendimit, shkalla e parë i ka afat 30 ditë ta përcjellë, mirëpo nuk është e domosdoshme që ta mbajë 30 ditë ankesën, mund ta dërgojë edhe më herët në shkallë të dytë. Gjyqtari e ka mbajt deri në minutat e fundit vetëm që ta zvarrisë procesin”, ka shtuar ai.

Kelmendi ka treguar se ndërmarrja nuk ka pasur borxhe para se t’i bllokoheshin llogaritë bankare dhe për shpenzimet operacionale ka thënë se kanë gjetur mirëkuptim nga ofruesit e këtyre shërbimeve.

Telekomi është ankuar gjatë muajit shkurt për vendimin e Komerciales duke e cilësuar atë “të jashtëligjshëm e kriminal”.

Related posts

Bullgaria u kërkon qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Irani

admin

Shpërthime në Kudsin Perëndimor, një i vdekur dhe 14 të plagosur

admin

Lista Serbe-Lajçakut: S’kthehemi në institucione pa u formuar Asociacioni

admin