Të paktën 5 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet që ushtria izraelite kreu nga ajri, toka dhe deti gjatë natës në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze WAFA thuhet se avionët luftarakë izraelitë bombarduan në mënyrë intensive pjesën veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës. Pesë civilë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit nga avionët luftarakë izraelitë ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës.
Avionët luftarakë izraelitë shkatërruan duke bombarduar disa pika në kampin e refugjatëve Nuseirat si dhe shënjestruan xhamitë Nu’n Nurejn dhe Muaz bin Jabal në kamp. Ushtria izraelite hyri edhe me tanke nga toka në disa zona të kampit të refugjatëve Nuseirat të cilin e bombardoi me avionë luftarakë.
Si pasojë e bombardimit nga deti nga ushtria izraelite ndaj disa shtëpive në kampin e refugjatëve Al-Shati në qytetin e Gazës, humbën jetën shumë persona por që numri i tyre nuk dihet. Në sulmet që Izraeli kreu ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, janë vrarë 33.482 palestinezë, përfshirë të paktën 14.500 fëmijë dhe 9.560 gra ndërsa janë plagosur 76.049 të tjerë.
Nën rrënoja ende ndodhen mijëra të vrarë ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilat është strehuar popullata.