Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elashni ka treguar se si do të ecin procedurat e aktiviteteve të policisë përgjatë ditës së diel, ku do të kryhet votimi në katër komunat në veri.
Ai tha se deri më tani nuk janë informuar se do të shfaqet ndonjë problem, por nëse një gjë e tillë do të ndodhë, Elshani thotë se policia është e përgatitur.
“Policia e Kosovës për çdo ngjarje që është me rëndësi apo që është ngjarje interesante, punon planet e veta operacionale, kjo nuk është ndonjë përjashtim, kështu që policia është e përgatitur për ditën e diel dhe konsiderojmë që nuk do të ketë ndonjë problem, së paku deri tani, në këtë moment ne nuk kemi ndonjë informacion që do të ketë probleme”, tha Elshani në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Sidoqoftë nëse do të kemi ndonjë situatë me të cilën duhet të ballafaqohemi, ne jemi të gatshëm. Do të ketë policë shtesë, sepse ndodh që do të kemi policë të rendit që do të jenë afër qendrave të votimit, ashtu siç e ka paraparë KQZ-ja”.
“Ne mendojmë që kemi një partneritet të mirë me KQZ-në, si dhe me ata ndërkombëtarë që janë prezent këtu”.