Partitë politike po e shfrytëzojnë ditën e fundit të fushatës për të kërkuar votën e qytetarëve. Kjo pasi në mesnatë nisë heshtja zgjedhore e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen të mërkurën më 8 maj. E mërkura, ashtu si në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, nga Qeveria është vendosur të jetë ditë jopune.
Me nisjen e heshtjes zgjedhore e cila do të jetë në fuqi nga ora 24:00, nesër të drejtën e votës do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë personat e sëmurë, të pafuqishëm, të burgosurit dhe diaspora.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale votuesit do të mund të përcaktohen për Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE e cila në rrethin e parë të zgjedhjeve më 24 prill fitoi 363. 085 vota, dhe Stevo Pendarovski, i cili fitoi 180.499 vota. Në zgjedhjet parlamentare, votuesit do të mund të zgjedhin një nga 17 listat e kandidatëve, ndësa votohet në gjithësej në 6 njësi zgjedhore.
Më 8 maj, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, përderisa në zgjedhjet parlamentare 1.815.350 votues. Dallimi në vota është 1.033, përgjithësisht përshkak të qytetarëve që arrijnë moshën madhore.
Votohet në 3480 vendvotime, ndërsa sipas njoftimit të KSHZ-së, votuesit gjatë ditës do të munden vetëm një herë ta vizitojnë vendvotimin dhe të votojnë. Identifikimi i votuesve do të bëhet me të ashtuquajturat aparate fingerprint. /shenja