RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri grek: Shkelja e marrëveshjes kërcënon të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut

kryeministri-grek:-shkelja-e-marreveshjes-kercenon-te-ardhmen-evropiane-te-maqedonise-se-veriut

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis përdorimin e termit “Maqedoni” në vend të “Maqedonia e Veriut” në ceremoninë e betimit në parlament nga presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e përshkroi si një “përpjekje për të dalë kundër ligjit” dhe tha se nuk do të lejojnë një gjë të tillë, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij në rrjetet sociale, Mitsotakis tha se: “Zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, për të ndërhyrë në tekstin e betimit zyrtar dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një përpjekje për të shkelur ligjin dhe nuk mund të lejohet”.

Duke vlerësuar se ky veprim nënkupton shkelje si të Marrëveshjes së Prespës ashtu edhe të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Mitsotakis deklaroi se “Kjo kërcënon të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Ai rikujtoi se partia e tij, Demokracia e Re votoi kundër Marrëveshjes së Prespës në Parlament kur ishte në opozitë në vitin 2019. “Megjithatë, si qeveri ne respektuam nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare nga Greqia. Fatkeqësisht, ky zhvillim i fundit arsyeton qëndrimin tonë”, tha Mitsotakis.

Sipas tij, Greqia nuk do të pranojë një situatë të ngjashme. “Çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve”, tha kryeministri grek.

Siljanovska-Davkova, e cila fitoi në zgjedhjet presidenciale më 8 maj, në fjalimin e saj në ceremoninë e betimit të mbajtur dje në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut deklaroi se do ta kryejë detyrën e saj me vetëdije dhe përgjegjësi dhe tha: “Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”.

Përderisa Siljanovska-Davkova nuk e përdori emrin kushtetues të vendit “Maqedonia e Veriut” në fjalimin e saj, ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sophia Philippidou u largua nga salla e Parlamentit derisa fjalimi i Davkova-s vazhdonte.

Ndaj presidentes së Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova me një deklaratë me shkrim dje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Related posts

U bë viral në rrjetet sociale pasi u akuzua nga 27 studentë për ngacmim seksual, Prokuroria nis hetimet për profesorin

admin

“Rrezikohet të destabilizohet rajoni”- Vendet e G7 dënojnë sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje

admin

Një ditë pasi vendet e G7 ranë dakord t’i jepnin Kievit 50 miliardë dollarë hua, Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme me dronë

admin