Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se retorika e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me armët bërthamore përshkallëzon situatën, transmeton Anadolu.
Lidhur me Samitin e Paqes për Ukrainën që u organizua nga Zvicra më 15-16 qershor, Peskov tha se ky samit nuk arriti të prodhojë zgjidhje për krizën e Ukrainës.
Duke tërhequr vëmendjen se Hungaria, Serbia dhe Türkiye mbështesin deklaratën e përbashkët të miratuar në samit, Peskov tha: “Kjo nuk do të prishë marrëdhëniet dypalëshe. Sigurisht ne do të marrim parasysh qasjet e këtyre vendeve. Kjo është e rëndësishme për ne. Ne do të vazhdojmë të shpjegojmë argumentet tona”.
Sa i përket deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg se “Në NATO janë bërë konsultime në lidhje me përgatitjen për përdorimin e kokës së armës bërthamore”, Peskov tha se “Kjo deklaratë është në kundërshtim me deklaratën e përbashkët të miratuar në samitin në Zvicër.
“Në këtë deklaratë thuhet se retorika të tilla janë të papranueshme. Prandaj, kjo (deklarata e Stoltenbergut) nuk është gjë tjetër veçse një element që e tensionon situatën”, thekson Peskov.
Ndërsa lidhur me deklaratën e ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba se “Samiti i ardhshëm i paqes për Ukrainën duhet t’i japë fund konfliktit”, zëdhënësi Peskov tha se “Qasja e palës ruse për këtë çështje është transparente dhe e qëndrueshme. Këtë qasje e njeh mirë edhe Kuleba”.