Në këtë ceremoni qenë të pranishëm kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Istogut, z. Ilir Ferati, si dhe stafi mjekësor i kësaj Qendre.
Myftiu Tërnava, fillimisht falënderoi kryetarin Ferati për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e treguar për gurthemelin e kësaj Qendre. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës, do të vazhdojë edhe në të ardhmen ndërtimin e Qendrave të tjera. “Ne si Bashkësi Islame do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të ndërtojmë Qendra të tjera në gjithë vendin, në mënyrë që sadopak t’ju shërbejmë qytetarëve në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tyre.”
Ai falënderoi mjekët dhe infermierët anekënd Kosovës për punën madhore të shenjtë që bëjnë në raport me shëndetin e qytetarëve.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Istogut, z. Ilir Ferati, tha se në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, trajtohet mbi 3000 banorë të fshatrave përreth, dhe se ka qenë tejet e nevojshme që të ndërtohet një objekt i ri, i cili do t’i plotësojë kushtet dhe do ta përmirësojë infrastrukturën shëndetësore. Ai falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për sigurimin e donacionit, duke uruar kështu edhe banorët për këtë objekt të ri.
Doktoresha kryesore e kësaj Qendre, dr. Ganimete Ferati, tregoi për kushtet në të cilat kanë punuar në objektin e vjetër. Ajo tha se tashmë me këtë objekt të ri, ne do ta kemi edhe më të lehtë punën dhe shërbimin ndaj qytetarëve. “Ne këtu ofrojmë gjitha shërbimet e nevojshme, duke filluar prej kontrolleve të përgjithshme e deri tek ato më të specializuara. Vetë fjala objekt i ri, për ne është një motivim për punë edhe më të mëdha” – tha ndër të tjera dr. Ferati.
Bashkësia Islame e Kosovës këtë donacion e ka siguruar nga Bejt Zekat nga Kuvajti, më konkretisht nga bamirësi Al Haxhiri.