RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

MD-ja planifikon t’ia japë MPB-së pronat e Radoiçiqit, pozitë e opozitë kërkojnë rezultate

md-ja-planifikon-t’ia-jape-mpb-se-pronat-e-radoiciqit,-pozite-e-opozite-kerkojne-rezultate

Informacionet e pakta lidhur me konfiskimin e pronave të kriminelit serb, Milan Radoiçiq, në veri të vendit, po konsiderohen rrezik për ndonjë sulm potencial të radhës në veri.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se janë në proces të konfiskimit të pronave të Radoiçiqit dhe të njëjtat t’i jepen për shfrytëzim Policisë së Kosovës, ndërsa deputetët e pozitës dhe opozitës kanë kërkuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se si dikaster janë duke punuar që këto prona t’i barten Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Tashmë, ju e dini që ka vendim për sekuestrim të asaj prone, ne po diskutojmë që të shohim mundësitë së si ta japim në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe besoj se shumë shpejt do ta kemi edhe rregullimin ligjor për këtë sepse ju e dini që kur kemi prona të sekuestruara nuk është e lehtë për Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk ka mundësi Ministria e Drejtësisë ato t’i jap në shfrytëzim ne bëjmë, japim në shfrytëzim banesa të cilat janë të konfiskuara apo pasuri tjera të luajtshme të cilat janë të konfiskuara mirëpo jemi në përpjekje që ta përmbyllim edhe këtë çështje dhe ta japim për nevojat e Policisë së Kosovës apo Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Haxhiu.

Por veprime sa më të shpejta ka kërkuar deputeti i pushtetit, Salih Zyba. Ai ka kërkuar që Prokuroria të jap verdikt final sa i përket pronave.

“Duhet të ketë sinjalizim, ose duhet të ketë vendime të shpejta për procedurën e shpejtë. Me pas, për verifikim dhe konfiskim ose për përfundim të procesit edhe të drejtësisë sepse kjo është krahas procesit të drejtësisë, për këtë akt që ka ndodh jo vetëm në rastin e Banjskës, por edhe për të vrarin nga ana e terroristëve ka përgjegjësi. Edhe te personi në fjalë, për të cilin konsiderohet që ende është potencial duke u bazuar edhe në deklarimet publike, jo vetëm të kryeministrit edhe të presidentes, por edhe përfshirë edhe deklarimet e kryetarit të Kuvendit për të cilin konsiderohet potencial ende, jo vetëm gjendja në asetet ekonomike por edhe sigurisë për çrregullim e destabilizim”, ka thënë Zyba.

Ai ka shtuar se Ministrisë së Drejtësisë i duhet komunikim me ndërkombëtarët që të parandalohet një sulm i radhës, sikurse ai që ka ndodhur në Banjskë.

“Përmes Prokurorisë të procedohet në Gjykata të merren vendime sa më shpejt që të zvogëlohet potenciali dhe kapaciteti i tij për të vepruar ose për të përsëritur masën e njëjtë dhe njëherit organet tjera, sidomos Ministria e Drejtësisë të komunikojë me mekanizmin ndërkombëtar dhe krahas konfiskimit ose potencialit që ka, jo vetëm ekonomik por pavarësisht çfarë potenciali ka pasuria e tij të kthehet në një pamundësi për të përsëritur ajo në përmasa që ka qenë Banjska”, ka thënë Zyba.

Deputeti i VV-së është shprehur i pakënaqur me punën e deritanishme të Prokurorisë Speciale në raport me sekuestrimin e pronave, ndërsa ka kërkuar më shumë informacion për rrjedhen e këtij procesi.

Kurse, avokati Ardian Bajraktari ka thënë se pjesa më e madhe e pasurisë së kriminelit janë sekuestruar, ndërsa çka ka mbetur pa sekuestruar janë vetura dhe të ngjashme.

“Duhet thënë së si rezultat i punës së organeve ligjzbatuese me theks të veçantë Prokurorisë e mbështetur nga Policia dhe vendimeve të Gjykatave, tashmë pjesa dërmuese e pasurive të kryekriminelit Radoiçiq dhe të tjerave janë të sekuestruara me vendim të Gjykatës që nënkupton se aktualisht janë nën administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar apo të sekuestruar dhe kur jemi te sekuestrimi nënkupton që është masë e përkohshme merret me vendim përkatësisht urdhër-ndalues përfundimtar të Gjykatës në pritje të epilogut përfundimtar të procesit dhe varësisht prej epilogut në rast se i njëjti shpallet fajtor atëherë natyrisht se e gjithë pasuria e cila duhet të përshkruhet në aktakuzë konfiskohet”, ka thënë Bajraktari.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se mungesën e një vendimi final sa i përket pronave në veri të vendit e sheh më shumë si një vendim politik për të siguruar vota të qytetarëve para zgjedhjeve nga ana e Qeverisë.

“Sa i përket pronave të Radoiçiqit do të thotë se Qeveria e Kosovës mirë është që mendon ta luftojë krimin e organizuar dhe që t’i trajtojë pronat që nuk janë të ligjshme në këtë rast edhe me kriminelin Radoiçiq por ja që deri më tani nuk kemi pa ndonjë vendim të qeverisë më tepër po e bën për vendime politike ad-hoc dhe që mendon që ë fitojë në votë po jo që të ushtrojë të drejtën e vendimeve dhe ta tjetërsojë atë pronë”, ka thënë Lekaj.

Ai shton se mungesa po ashtu edhe të një aktakuze lidhur me këtë rast është një spektakël elektoral i Qeverisë dhe më shumë si trajtim politik së sa ligjor.

“Ju e dini që çfarë veprim ka bë Radoiçiq me kriminelët tjerë që kanë dashtë me e aneksu veriun e Kosovës dhe deri më sot nuk ka asnjë aktakuzë, nuk ka asnjë veprim dhe mendoj që kjo qeveri po e mashtron qytetarin e Kosovës dhe vetëm sa po bën spektakël më tepër elektoral së sa vendime që duhet të merren. Mendoj se më tepër është trajtim politik së sa ligjorë të veprimit dhe të drejtës kushtetuese apo ligjore që të veprojë Qeveria”, ka thënë Lekaj.

Related posts

Pendarovski: Nuk jam albanofob

rezart morina

Joe Biden u tërhoq nga gara, analiza e CNN: Çfarë mund të ndodhë tani që presidenti hoqi dorë nga rikandidimi

admin

Shtohen rastet e testimeve për Covid19, bëhet thirrje për imunizim

rezart morina