RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nagasaki shënoi 79-vjetorin e hedhjes së bo’mbës at’omike, në ceremoni nuk u ftua Iz’raeli

nagasaki-shenoi-79-vjetorin-e-hedhjes-se-bo’mbes-at’omike,-ne-ceremoni-nuk-u-ftua-iz’raeli

Qyteti japonez Nagasaki shënoi sot 79-vjetorin e hedhjes së bombës atomike nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1945, teksa refuzoi të ftonte Izraelin në ceremoni për shkak të luftës së tij të vazhdueshme kundër Gazës, transmeton Anadolu.

Në orën 11:02 të mëngjesit me orën lokale, pikërisht në momentin kur një B-29 amerikan hodhi bombën mbi Nagasaki, qyteti ra në heshtje në kujtim.

Ngjarja tragjike në fund të Luftës së Dytë Botërore është veçanërisht e rëndësishme sepse Nagasaki mbeti vendi i fundit në histori që pësoi një sulm me bombë atomike.

“Qeveria e Japonisë, i vetmi vend i sulmuar nga bomba atomike në luftë, duhet të shprehë një qëndrim serioz ndaj një bote pa armë bërthamore”, tha kryebashkiaku i Nagasakit, Shiro Suzuki, në ceremoninë e përvjetorit.

Sipas të përditshmes japoneze Mainichi, ai i bëri thirrje qeverisë japoneze që të nënshkruajë dhe ratifikojë Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore sa më shpejt të jetë e mundur.

Autoritetet locale në Nagasaki vendosën të mos e ftojnë Izraelin në këtë ngjarje, pavarësisht presionit nga Grupi G7.

Kryebashkiaku tha se vendimi është marrë për të garantuar sigurinë dhe paqen gjatë ngjarjes dhe se vendimi “nuk është i motivuar politikisht”.

Qeveria qendrore e Japonisë, një nga anëtarët e Grupit G7, nuk pranoi të komentojë vendimin e Nagasakit për të mos ftuar zyrtarë izraelitë.

Ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Japoni nuk morën pjesë në ceremoninë e sivjetme si përgjigje ndaj faktit që Nagasaki nuk e ftoi Izraelin.

Mungesa e dy vendeve ka shkaktuar dje protesta para përfaqësive të tyre diplomatike në Tokio.

Hiroshima, qytet i cili u bombardua nga SHBA më 6 gusht 1945, ftoi zyrtarët izraelitë në ngjarjen e saj të martën, duke tërhequr kritika të gjera.

Ndërkohë, që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, Rusia, si dhe Bjellorusia, gjithashtu janë përjashtuar nga ngjarja.

Aktivistët e paqes dhe mbështetësit e Palestinës kanë kritikuar Hiroshimën për standardet e dyfishta.

Rreth 2.300 të ftuar morën pjesë në aktivitetin në Nagasaki, duke përfshirë përfaqësues nga 100 vende, përfshirë Palestinën.

Related posts

“Duhet të mendohem nëse do të vazhdoj të drejtoj qeverinë apo të heq dorë”- E shoqja nën hetim, kryeministri spanjoll Sanches pezullon punën

admin

Matoviç i mbijeton mocionit të mosbesimit

admin

Presidenti amerikan Biden: Pandemia ka marrë fund!

admin