RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani: Dialogu me Serbinë për hapjen e urës do të ishte kundërkushtetues

osmani:-dialogu-me-serbine-per-hapjen-e-ures-do-te-ishte-kunderkushtetues

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptarë që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë, ata na kanë shpëtuar”, ka thënë ajo gjatë një adresimi për media nga vizita që të enjten e ka realizuar në Viti

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të enjten se Kosova duhet të sigurohet që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët ndërkombëtarë dhe as prani të shtuar të forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Tek ka folur lidhur me paralajmërimin e Qeverisë për hapjen e urës që qytetin e Mitrovicës e ndanë në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me shumicë serbe, Osmani ka theksuar se për çështjen e urës Kosova nuk duhet assesi të diskutojë me Serbinë në Bruksel.

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë, ata na kanë shpëtuar”, ka thënë ajo gjatë një adresimi për media nga vizita që të enjten e ka realizuar në Viti.

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë që hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Osmani ka theksuar se më e pakta që Kosova mund të bëjë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është që të koordinohet me të, teksa ka shtuar se thirrjet e SHBA-së për bashkërendim të qëndrimeve nuk janë kundër shtetit të Kosovës dhe as kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Ajo ka thënë se është praktikë e zakonshme e SHBA-së që të koordinohet me shtetet në të cilat ka prezencë ushtarake të sajën dhe se rasti i Kosovës nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme.

“Në takimet e mia me SHBA-në, asnjëherë nuk është thënë që janë kundër hapjes së urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel që kanë paraparë hapjen e urës. Por sikur për çdo temë të sigurisë, kërkojnë dhe i luten Kosovës të ulemi bashkë dhe ta hartojmë bashkë planin e zbatimit që i merr parasysh vlerësimet e sigurisë, edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë. Në bazë të vlerësimeve të përbashkëta, të zgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që hapja e urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit, por i përhershëm”, ka theksuar Osmani.

Krahas Hovenierit, edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara (SHBA), Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë për hapjen e urës në këtë kohë. Në Bashkimin Evropian (BE) kanë bërë thirrje që për çështjen e “statusit” të urës të diskutohet në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Por presidentja Osmani ka thënë të enjten se Serbia nuk ka se përse të pyetet për një urë që ndodhet brenda territorit të Kosovës.

“Dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe e domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”, ka thënë ajo.

E tek ka folur lidhur me deklaratat nga Bashkimi Evropian (BE) për shtrimin e çështjes së hapjes së urës në tryezën e dialogut, Osmani ka shprehur kundërshtim.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk e besoj që meritojnë më shumë vëmendje. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi – më duket është nga Sllovakia – që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet”, ka thënë ajo.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pati thënë ditë më parë se Kosovës mund t’i mbeten në fuqi masat ndëshkuese teksa ka theksuar se Qeveria e Kosovës i ka shumëfishuar veprimet e njëanshme.

Në Qeveri e kanë përsëritur në vazhdimësi qëndrimin e çështja e hapjes së urës është trajtuar në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për çështjen e hapjes së urës janë duke u zhvilluar konsultime me faktorin ndërkombëtar.

Ai ka shtuar se hapja e urës do t’i shërbente lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe se nuk është kundër askujt, e aq më pak kundër aleatëve të Kosovës. Por, vendet perëndimore kanë bërë thirrje që të shmangen veprime që mund të nxisin tensione.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit është pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – ajo e vitit 2015 dhe 2016. Punët për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, të cilat ishin financuara nga BE-ja kanë përfunduar prej vjetësh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë për qarkullimin e veturave. Në funksion të hapjes së saj, që nga java e shkuar janë bërë testime për vlerësimin e qëndrueshmërisë së urës mbi Ibër. Në rezultatet preliminare të këtyre testimeve, të publikuara të martën, konstatohet se ura është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se në raport është konstatuar se struktura e urës mund të përdoret për shfrytëzim, pa asnjë kufizim për ngarkesë. /koha

Related posts

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër

admin

Zyrtarja e OBSH-së: lu’fta në Ga’za duhet të ndalet

admin

OBSH: Një e treta e popullsisë së botës në rrezik të sëmundjeve për shkak të aktivitetit të pamjaftueshëm fizik

RTI