RTV AHIRETI
Pytje & Përgjigje

A e kemi gjynah që të mallkojmë babain e dhunshëm?

a-e-kemi-gjynah-qe-te-mallkojme-babain-e-dhunshem?

Pyetja:

Nëse një fëmijë me vite ka vuajtur nga dhuna që babai ia bënë nënës së tyre në të gjitha format dhunë fizike në sy të fëmijëve, dhunë verbale çdo ditë, nënçmim, përulje, poshtërim, dhe dhunë psiqike cdo ditë për shkak të fjalëve të tmerrshme që përjetohen çdo ditë dhe fëmijët të lodhur nga kjo gjendje prej viteve duke parë e dëgjuar të gjitha fjalët dhe veprat e tmerrshme të një babai zullumqar a kanë gjynah këta fëmijë nëse e mallkojnë babanë me mallkime shumë të rënda?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar dhunën. Pejgamberi ﷺ në një hadith të saktë të cilin e ka shënuar Muslimi tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.” [1] Si dhe ka thënë: “Ruajuni prej padrejtësisë, ngase padrejtësia do të jetë errësirë Ditën e Kiametit.” [2]

Megjithatë, mallkimi i prindit është i ndaluar rreptësisht në Islam me argumente të qarta. Fëmijës nuk i lejohet të bëhet i keq me prindin e tij si kompensim për sjelljen e tij të keqe. Islami nuk na mëson kështu as me të huajt, e lëre më me prindërit. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuran: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fusilet: 34)


Allahu na ka urdhëruar që të çojmë jetë të mirë dhe me mirëkuptim me prindërit edhe nëse ata e veprojnë mëkatin më të madh që i është bërë ndonjëherë Allahut, shirkun – idhujtarinë, dhe ka thënë: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë.” (Lukman: 15) E, dihet mirëfilli se, çfarëdo mëkati tjetër që prindi bën karshi fëmijës, është më i vogël se shirku.

Kjo që e ka goditur këtë familje është një sprovë, me të cilën janë sprovuar këta fëmijë dhe kjo grua. Ngjashëm kanë qenë dhe janë të sprovuar edhe shumë besimtarë e besimtare muslimane; madje, me prindërit e tyre kanë qenë të sprovuar edhe profetët e Allahut. Ja ku e kemi atje Ibrahimin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), të cilit babai i tij i thoshte: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë.”(Merjem: 46) Në anën tjetër, Ibrahimi ﷺ nuk e mallkoi, e as nuk i tha “ti je armik i Allahut,” përkundrazi ia ktheu me të butë: “Shpëtimi (selami) qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem: 47)

Pastaj, Allahu i Lartësuar i ka këshilluar robërit e Tij që të bëjnë durim, siç thotë në ajetin: “Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” (Zumer: 10)

Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, ndër mëkatet më të mëdha është që dikush t’i mallkojë prindërit e vet.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! E si i mallkon dikush prindërit e vet?” Ai tha: “Dikush i shan babanë një tjetri e pastaj ai ia shan babanë dhe nënën këtij.” [3] Vini re, Pejgamberi i Allahut ﷺ po e ndalon që dikush të bëhet shkaktar që prindërit e tij të ofendohen, e çfarë të themi për një fëmijë që vetë e mallkon prindin e tij!?

Sa i përket çështjes në fjalë, është shumë me rëndësi të dihet se vlerësimin e zullumit dhe të dhunës që babai e ushtron ndaj familjes duhet ta bëjë personi kompetent, respektivisht, duhet që çështja të kalojë në një gjykim ku dëgjohen të dy palët. Për problemin në fjalë duhet të konsultohet privatisht një njeri i drejtë dhe i besueshëm, qoftë i afërt nga familja, qoftë i largët: hoxhë apo dikush tjetër, njëkohësisht, duke iu mbështetur Allahut të Lartësuar, i Cili ka mundësi t’i zbusë zemrat e njerëzve dhe t’i zgjidh problemet e njerëzve me lehtësinë më të madhe. Por nuk bën të pajtohemi me këtë gjë dhe të mos marrim asnjë masë për përmirësimin e situatës, duke mos harruar se mallkimi nuk është kurrë zgjidhje.

Ndërkohë, ajo çfarë fëmijët mund të bëjnë, nëse janë në moshën e pjekurisë, është të bëjnë lutje (dua) vazhdimisht për babanë e tyre që Allahu ta kthejë në rrugë të mbarë. Lutjet më të pranuara tek Allahu janë ato që janë të sinqerta, ndërsa lutja e atij që i është bërë padrejtësi i ka dyert e hapura tek Allahu. Andaj, meqenëse nuk ka pengesë mes lutjes së atij që i është bërë padrejtësi dhe Allahut, anëtarët e kësaj familjeje le ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u lutur që Allahu t’i shpëtojë dhe t’i nxjerr nga kjo sprovë, si dhe të luten që Allahu ta udhëzojë babanë, gjegjësisht bashkëshortin, në rrugë të drejtë dhe ta largojë nga padrejtësia.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Hekuran Helshani

————————————————————–

[1] Muslimi, 2577 (6572)

[2] Muslimi, 2578 (6576)

[3] Buhariu, 5973.

Related posts

Çfarë kriteri duhet të ndjek muslimani për të zgjedhur emrin e fëmijës?

admin

Nëse i dërgoj tre të premte radhazi çorapet e djalit në xhami, a do të filloj të ecë?

admin

A obligohet sexhdja kur kemi lëndime në fytyrë?

admin