Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka quajtur kontratat njëburimore të nënshkruara nga qeveria si tender-sekret, raporton teve1.info
Në seancën parlamentare ku po diskutohet për kontratat njëburimore, Abdixhiku ka thënë se këto kontrata kanë një emër – “tender sekret”.
“Ajo që po provojmë të bëjmë këtu, dua të përgëzoj deputeten Bajrami që ka nisur këtë iniciativë. Është përshkrimi i një praktike të shpërndarë në gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit tek operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshjet direkte”, tha Abdixhiku.
Ai madje konstatoi se derisa po diskutohet në Kuvend, dikush nga VV-ja është duke nënshkruar një tender sekret.
“Sot teksa flasim, dikush në VV është duke nënshkru, ose përgatit, një tender sekret. Kjo praktikë po rritet, vitin e parë ishin 30 milionë euro, vitin e dytë u bënë 70, në vitin e tretë 109 milionë euro tender sekret”, tha ai.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se 13 herë një kompani e vetme është ulur me një përfaqësues të ndërmarrjes publike dhe ka marrë tender sekret.