RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Akademiku serb: Vuçiq e di se Kosovën e kemi humbur në vitin 1999

akademiku-serb:-vuciq-e-di-se-kosoven-e-kemi-humbur-ne-vitin-1999

Akademiku serb, Dushan Teodoroviq, thotë se Serbisë i kushton çdo vit, çdo muaj, çdo ditë dhe çdo minutë që kur Aleksandar Vuçiq është në pushtet. Ai tha se presidenti serb e di se Kosovën e kemi humbur në vitin 1999.

Teodoroviq thotë se pasojat e vendimeve të njëanshme të Vuçiqit janë kudo. “Qoftë për tensionet e vazhdueshme në Kosovë, Beogradi i çuditshëm mbi ujë, ndërtimi i stadiumit kombëtar të futbollit apo emërimi i hajdutëve intelektualë Sinisha Mali, Aleksandar Shapiq apo Jorgovanka Tabakoviq në postet më përgjegjëse në vend”.

“Edhe gjendja aktuale në Kosovë, pa dyshim, është rezultat i vendimeve të njëanshme të një njeriu narcisoid dhe arrogant, i cili për arsye të panjohura për mua i ka caktuar vetes një rol mesian”, tha Teodoroviq, transmeton Telegrafi.

Në një intervistë për “Danas” ai thekson se “është e trishtueshme që më shumë njerëz nuk ngrihen në këmbë dhe të paktën e kundërshtojnë publikisht.”

Akademiku serb thotë se “Serbia po shembet dita-ditës jo për shkak të Aleksandar Vuçiqit, por për shkak të frikacakëve dhe paaftësisë dhe pavendosmërisë sonë për të thyer regjimin e tij me demonstrata, grevë të përgjithshme dhe të gjitha format e mundshme të rezistencës civile”.

“Aleksandar Vuçiq që nga fillimet e tij gënjen dhe mashtron qytetarët e Serbisë dhe serbët nga Kosova. Një seri e tërë e lëvizjeve dhe deklaratave të tij gjatë dhjetë viteve tregojnë se ai gjithmonë përpiqej të tregohej si evropian jashtë Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë ishte një serb i madh në Serbi dhe Republika Srpska”, thotë Teodoroviq.

Më tej ai thotë se Vuçiq “për shkak të vlerësimit të tij politik, sikurse edhe një numër i madh i politikanëve opozitarë, nuk guxon të dalë para popullit dhe të thotë – e kemi humbur Kosovën në luftën e vitit 1999”.

“Vuçiq e di shumë mirë që Kosova është humbur kaherë, por për shkak të pikëve politike vazhdon të luajë rolin e ‘Aca Serb’, në të njëjtën kohë fshehtas dhe gjysmë fshehtas pjesërisht zbaton atë që ka rënë dakord me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Teodoroviq, transmeton Telegrafi.

Siç thotë ai, politika e Vuçiqit për Kosovën është politikë e humbjes së kohës, mashtrimit dhe gënjeshtrave për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.

“Vendi ka njëzet miliardë euro më shumë borxh se para ardhjes së Vuçiqit në pushtet. Në Serbi mbretëron Putinofilia, e cila vazhdon të ushqehet çdo ditë nga programet e turpshme në televizionet Pink, Happy, RTS, B92 dhe TV Prva dhe nga tekstet e rreme dhe të rëndomta në tabloide. Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe që nuk i ka dënuar krimet e luftës”, thekson Teodoroviq.

Siç shton ai, “numri më i madh i kuadrove të Vuçiqit kanë diploma false apo të dyshimta dhe si pjesë e regjimit të Vuçiqit janë bartës të korrupsionit në ministri, ndërmarrje publike dhe vetëqeverisje lokale”.

“Vuçiqi, së bashku me kreun e Kishës Ortodokse Serbe vranë shtetin laik”, tha akademiku.

Related posts

Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet kryesore gjatë natës

rezart morina

Gjermania dhe Republika Çeke premtojnë më shumë ndihmë për Ukrainën

admin

Besimtarët myslimanë në Shqipëri falin namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

rezart morina