Turqia shprehu sot besimin se Ukraina dhe Rusia do të bien dakord për të zgjatur marrëveshjen për eksportin e grurit nëpërmjet Detit të Zi.
Rusia dhe Ukraina po shfaqin një qasje pozitive që do të çojë në një rezultat pozitiv”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.
“Ne besojmë se afati do të zgjatet më 18 mars, kur skadon marrëveshja aktuale”, tha ai.
Megjithatë, Ministria e Jashtme ruse tha se përfaqësuesit rusë nuk kanë marrë ende pjesë në negociatat për zgjatjen e marrëveshjes.
“Nuk ka pasur negociata për këtë temë, veçanërisht me pjesëmarrjen e përfaqësuesve rusë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
“Raundi tjetër i bisedimeve për zgjatjen e marrëveshjes do të zhvillohet në Gjenevë më 13 mars, me pjesëmarrjen e delegacionit rus dhe zyrtares së lartë tregtare të Kombeve të Bashkuara Rebeca Grynspan”, tha Zakharova.
Rusia fillimisht bllokoi të gjitha portet detare të Ukrainës pas pushtimit të Ukrainës, në shkallë të plotë, në shkurt të vitit të kaluar.
Nisma e grurit të Detit të Zi midis OKB-së, Turqisë, Ukrainës dhe Rusisë nisi në korrik 2022.
Marrëveshja lejon eksportet e kontrolluara të grurit nga tre porte të Detit të Zi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres diskutoi të mërkurën zgjatjen e marrëveshjes së grurit me udhëheqjen ukrainase gjatë vizitës së tij në Kiev.
Sipas Guterres, rreth 23 milionë tonë grurë janë eksportuar nga Ukraina sipas iniciativës së gushtit 2022.
Plani i OKB-së, i cili gjithashtu lidhet me përpjekjet për të siguruar që ushqimet dhe plehrat kimike ruse të arrijnë tregjet globale, mbështet stabilizimin e çmimeve spirale të ushqimeve në mbarë botën, dhe synon shmangien e urisë”, sipas OKB-së. /atsh