RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Aktivisti francez: Nëntë nga 10 personat me ngjyrë vuajnë nga diskriminimi, por shteti mbyll sytë

aktivisti-francez:-nente-nga-10-personat-me-ngjyre-vuajne-nga-diskriminimi,-por-shteti-mbyll-syte

Politikani dhe aktivisti francez Patrick Lozes tha se qeveria franceze injoron problemet e shkaktuara nga racizmi në vend, ndonëse nëntë nga 10 persona me ngjyrë në Francë raportojnë se i janë ekspozuar diskriminimit.

Lozes gjithashtu është themelues dhe president i Këshillit Përfaqësues të shoqatave të personave me ngjyrë (CRAN).

Në një intervistë për Anadolu, ai dha vlerësime mbi racizmin dhe diskriminimin me të cilin përballen çdo ditë personat me ngjyrë në Francë.

Duke përmendur një sondazh të kryer nga kompania e pavarur kërkimore Ipsos për njerëzit me ngjyrë në Francë, Lozes tha: “Ajo që pjesëmarrësit e sondazhit thonë, është se ka diskriminim në shumë fusha të jetës. Një shumicë dërrmuese, 91 për qind e personave me ngjyrë në Francë, thonë se janë të ekspozuar ndaj diskriminimit në jetën e përditshme. Kjo do të thotë se diskriminimi është një shqetësim i madh për pothuajse çdo francez me ngjyrë”.

Ai theksoi njerëzit me ngjyrë përballen me diskriminim kur kërkojnë shtëpi apo punë. “Kur telefononi dhe thoni se doni një shtëpi, personi me të cilin po flisni ju thotë në telefon se shtëpia është në dispozicion, por kur ai e kupton se je me ngjyrë, mund të thotë që shtëpia nuk është në dispozicion. Ju nuk do të promovoheni. Kur aplikoni për një vend pune, dërgoni CV-në tuaj dhe pak minuta më vonë njoftoheni se pozicioni tashmë është i plotësuar. Megjithatë, pozicioni është ende i hapur për dikë tjetër që ka aplikuar për të njëjtin pozicion disa minuta pas jush”, tha Lozes.

Lozes nënvizoi më tej se diskriminimi ndodh edhe në shërbimet më elementare, siç është transporti publik, duke shtuar se disa francezë mendojnë se “personat me ngjyrë duhet jenë pas tyre” kur hipin në autobus ose tren.

“Paragjykime ndaj personave me ngjyrë”

Ai vuri në dukje se personat me ngjyrë nuk përfshihen mjaftueshëm në Asamblenë Kombëtare Franceze, në poste të nivelit të lartë në ushtri, apo në pozicione menaxheriale në kompani. “Ka paragjykim ndaj personave me ngjyrë. Njerëzit mendojnë se personat me ngjyrë nuk janë mjaftueshëm të talentuar. Kjo është një pengesë”, tha Lozes.

Duke kujtuar se deputeti me ngjyrë Carlos Martens Bilongo nga partia La France Insoumise (Francë e Papërkulur) u sulmua me fjalë raciste nga deputeti i ekstremit të djathtë Gregoire de Fournas gjatë një fjalimi në Asamblenë Kombëtare në 2022, Lozes tha: “Bilongos iu kërkua nga një prej deputetëve të ‘kthehej në Afrikë’. A mund t’ia thuash këtë një deputeti, një deputeti francez? Nëse ai do të ishte i bardhë, askush nuk do të mund ta bënte këtë. Ishte absolutisht tronditëse, por kjo është pikërisht ajo që njerëzit me ngjyrë përballen në rrugë”.

Lozes gjithashtu tha: “Edhe kur zgjidheni në Asamblenë Kombëtare, kolegët tuaj parlamentarë mund të jenë racistë ndaj jush”, duke shtuar: “Kjo është e egër. Qeveria tani duhet të pranojë që jo të gjithë njerëzit në Francë janë të barabartë. Si vend, ne kemi vlera absolutisht të mrekullueshme. Unë jam francez, jam krenar për vlerat tona, por vlerat tona duhet të vlejnë për të gjithë, pavarësisht ngjyrës”.

Profilizimi etnik nga policia

Duke deklaruar se policia franceze kryen profilizim etnik të personave me ngjyrë, Lozes tha: “Kur pyet njerëzit me ngjyrë çfarë po ndodh në jetën e përditshme, shumica e tyre thonë se i nënshtrohen më shumë kontrolleve dhe pyetjeve nga policia sesa të tjerët”.

Ai sqaroi se jo çdo polic është racist, por “ka racizëm brenda forcave të policisë”.

Lozes shtoi se është e gabuar të kriminalizohen personat me ngjyrë për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre. “Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi racizmit në vendin tonë vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës. Kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë për këtë vend, të cilin e vlerësoj dhe e dua. Do të doja që Franca të njihet si një vend ku ka barazi dhe racizmi është eliminuar”, tha ai.

Personat me ngjyrë dhe mediat franceze

Duke iu referuar perceptimit që mediat po krijojnë për personat me ngjyrë, Lozes tha: “Nuk e kuptoj pse gazetat, kur kryhet një krim diku, raportojnë vetëm krimin, por kur një persona me ngjyrë kryen krimin, theksojnë se krimi ishte kryer nga një person me ngjyrë”.

Sipas tij, mediat franceze i japin më shumë mbulim çështjeve të racizmit kundër personave me ngjyrë sesa në të kaluarën. “Shumë pak nga gazetarët në gazetën më të njohur, Le Monde, apo ndonjë kanal televiziv, janë me ngjyrë. Kjo është arsyeja pse unë u them mediave se bëni shumë mirë kur raportoni mbi racizmin, por duhet të shikoni veten dhe të bëni atë që dëshironi të bëjnë të tjerët”, potencon Lozes.

Mohimi i qeverisë

Ai thotë se problemi më i madh në Francë është injorimi i praktikave raciste dhe diskriminuese ndaj personave me ngjyrë. “Është e rëndësishme që Franca të pranojë se ka diskriminim në vend dhe të luftojë kundër këtij diskriminimi. Por, qeveria nuk pranon që ka probleme me diskriminimin që dëmtojnë pothuajse të gjithë personat me ngjyrë”, tha Lozes.

Duke treguar se edhe ai ishte i diskriminuar gjatë gjithë karrierës së tij, Lozes tha: “Unë tanimë qesh për këtë. Por, kur shkova në vendin tim të punës për herë të parë me kostum, askush nuk mendoi se unë isha shefi, sepse ata nuk janë mësuar të shohin njerëz me ngjyrë në poste drejtuese”.

Lozes tha se u largua nga posti i tij si president i CRAN-it në vitin 2011 për t’u bërë kandidat në zgjedhjet presidenciale në Francë, ndërsa një hetim filloi kundër tij në dhjetor të të njëjtit vit.

“Transparenca është padyshim një nga vlerat që duhet ta pranojmë. Nëse jeni në një post publik, duhet të pranoni se mund të ketë një hetim. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të shkel ligjin, por mënyra se si u zhvillua ky hetim ishte e padrejtë”, tha ai, duke shtuar: “Nëse nuk do të isha person me ngjyrë, hetimi do të ishte më i shkurtër, por zgjati shumë. Fatmirësisht u lirova nga akuza. Prisja që rezultati i hetimit të raportohej, por mediat ishin më të interesuara kur unë isha nën hetime sesa kur u lirova nga akuzat”.

Related posts

Haradinaj – deputetëve: Ta shkarkojmë Kurtin, mashtrimi i tij ka elemente të tradhtisë

admin

Më shumë se dy vite nga lufta, Ukraina bën bilancin: Numri i viktimave ruse kanë kaluar gjysmë milioni

admin

Gjermania hap dyert për 250 mijë emigrantë kenianë

rezart morina