Aysenur Ezgi Eygi, një aktiviste turko-amerikane, u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite teksa protestonte dje në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Sipas raporteve nga Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritit (ISM), 26-vjeçarja Eygi kishte udhëtuar në rajon për të mbështetur rezistencën palestineze kundër Izraelit.
Anadolu përpiloi disa informacione rreth aktivistes së vrarë nga llogaritë e mediave sociale dhe burime të tjera të hapura.
Eygi, e lindur në qytetin turk Antalya në vitin 1998, ndoqi dy drejtime, në psikologji dhe në gjuhën dhe kulturën e Lindjes së Mesme në Universitetin e Washingtonit në Seattle.
Ajo u diplomua së fundmi në qershor dhe ishte e njohur për angazhimin e saj ndaj aktivizmit dhe shërbimit ndaj komunitetit.
“Jam nxitur nga pasioni për të bërë një ndikim pozitiv”
Profilet online të Eygi-t pasqyrojnë një pasion për të bërë një ndikim pozitiv në fusha të ndryshme, nga mentorimi i studentëve deri te ofrimi i mbështetjes rehabilituese për fëmijët me autizëm, në përputhje me përvojën e saj të larmishme profesionale.
“Kam një bazë të fortë në mentorim, terapi të sjelljes dhe marketing, me një përkushtim të thellë ndaj shërbimit të komunitetit”, e përshkroi Eygi veten në profilin e saj në LinkedIn.
“Puna ime vullnetare më ka lejuar të bëj një ndikim si në nivel lokal ashtu edhe në ndërkombëtar, për të ofruar mbështetje rehabilituese në komunitetet me burime të pamjaftueshme. Unë jam nxitur nga pasioni për të bërë një ndikim pozitiv”, shkroi ajo.
Eygi si një vëzhguese vullnetare iu bashkua ISM-së, organizatës së udhëhequr nga palestinezët që mbron rezistencën jo të dhunshme kundër pushtimit izraelit.
Më 3 shtator, ajo mbërriti në qytetin Beita, pranë Nablusit në Bregun Perëndimor, për të marrë pjesë në protesta paqësore.
Sipas raporteve të ISM-së, tre ditë më vonë, gjatë një demonstrate, ajo u shënjestrua dhe u vra qëllimisht nga një snajper izraelit nga një çati aty pranë.
“Eygi, një nga shpirtrat më të ëmbël dhe më të butë”
“Nuk di si ta them këtë, nuk ka rrugë të lehtë. Do të doja të mund të them diçka kuptimplotë, por nuk mundem kur jam duke qarë”, i tha grupit një vullnetar tjetër i ISM-së, i cili kërkoi anonimitet, duke përshkruar aktivisten Eygi.
“Shoqja dhe partnerja ime që udhëtonte për në Palestinë sapo është qëlluar në kokë dhe vrarë nga forcat pushtuese izraelite. U preftë në paqe. Ajo tani është një nga martirët e shumtë në këtë luftë”, tha vullnetari i ISM-së.
Lubna Alzaroo ka kujtuar në Facebook shoqen e saj Eygi, e cila po ashtu njihet si Aysha.
“Këtë mëngjes u zgjova me lajmin se ajo u vra në Beita, Nablus, nga ushtarët izraelitë teksa qëndronte në solidaritet me fermerët palestinezë. Aysha ishte një nga shpirtrat më të ëmbël dhe më të butë që kam takuar”, shkroi Alzaroo, duke bashkëngjitur një fotografi të Eygi-t në postimin e saj.
Dëshmitarët thanë se Eygi po qëndronte larg zonës kryesore të protestës kur ajo u shënjestrua qëllimisht.
Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në një spital palestinez, përpjekjet mjekësore për ta shpëtuar ishin të pasuksesshme.