Kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, Fahretin Altun, në një shkrim në rrjetin social X, vlerësoi kontributin e Turqisë në krye me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, për stabilitetin dhe paqen në rajon, pamvarësisht tensioneve.
“Në këtë periudhë të përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në arenën ndërkombëtare nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Turqia dëshmoi edhe një herë se është një peshë e rëndë diplomatike me partneritete të veçanta me vende të ndryshme të botës. Ne i përdorim aftësitë tona në shërbim të paqes dhe stabilitetit përmes bashkëpunimit me ndikim, me aktorë të ndryshëm”, shkruan Altun.
Duke iu referuar ndërmjetësimit të Turqisë në shkëmbimin e të burgosurve mes Perëndimit e Rusisë, ai theksoi se lehtësuan operacionin më të gjerë të shkëmbimit të të burgosurve të kohëve të fundit që përfshin 26 individë nga shtatë vende të ndryshme.
“Serioziteti thelbësor në trajtimin e negociatave delikate ka qenë shembullor. Inteligjenca turke krijoi kanale dialogu dhe ndërmjetësimi për këtë operacion historik që përfshinte disa nga kundërshtarët global. Turqia ka treguar se është në gjendje të bisedojë me palë të ndryshme si një partner i besueshëm”, tha Altun.
Sipas tij, Turqia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e kanaleve të hapura të dialogut në të gjitha format e konfliktit ndërkombëtar: “Aktualisht po marrim masa për të krijuar platforma të përbashkëta që do të lehtësojnë pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe ekzekutimin e aktiviteteve të ndërmjetësimit.” shkruan Altun.