Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka shprehur keqardhjen lidhur me deklaratat e Listës Serbe që nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
Në një përgjigje për Telegrafin nga ambasada amerikane kanë thënë se pjesëmarrja demokratike në votim, ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullit të cilit i shërbejnë.
Ambasada tutje ka shtuar se votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.
“Shprehim keqardhje për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.
Më tej ambasada ka shtuar se Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar.
“Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votën për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës.
Siç është deklaruar ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata zgjedhin për ta bërë këtë”, thuhet më tej në përgjigjen e ambasadës për Telegrafin.
Tutje nga kjo ambasadë kanë theksuar se vlerësojnë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik, dhe se mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës.
Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë ka thënë të dielën se s’do të marrë pjesë në votim.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.
Sipas tij, janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”.