Ambasadori i Italisë në Serbi, Luka Gori, ka thënë se nuk ka ardhur ende momenti që Kosova të antarësohet në Këshillin e Evropës (KiE) dhe duhet “progres esencial” në formimin e Asociacionit për t’u arritur një gjë e tillë. “Ky është pozicioni që ka marrë Italia bashkë me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera të BE-së dhe kjo është çfarë duam të arrijmë në Strasburg”, ka thënë Gori për “Tanjug”.
Tutje, Ambasadori Gori shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk pranon që këto dy çështje të lidhen me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, Britania e Madhe ka thënë se e mbështet Kosovën pa kushte. Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur absurd kushtëzimin e të dyja shteteve që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet më 16 dhe 17 maj. Por ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë pjesë e agjendës për t’u votuar si anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.
The post Ambasadori italian në Serbi: Pa progres në Asociacion, Kosova s’do të anëtarësohet në KiE first appeared on Radio Televizioni Iliria.