Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anatoly Antonov, ka komentuar ditën e parë të samitit të NATO-s në Uashington duke thënë se anëtarët e aleancës treguan agresivitet ndaj Rusisë.
Duke komentuar takimin hapës në samitin e NATO-s në Uashington, Antonov ka thënë se nuk dëgjoi asnjë fjalë të vetme për paqen.
“Dita e parë e samitit të NATO-s konfirmoi natyrën agresive të aleancës dhe satelitët e saj vazhduan të predikonin militarizmin dhe zgjerimin ushtarak”, ka thënë Antonov.
Sipas Antonov, vendet perëndimore vazhdojnë të imponojnë urdhra autoritar, dhe përsëri përmendi teorinë e konspiracionit për të ashtuquajturin “miliardë të artë”.
“I njëjti përshkallëzim i psikozës ushtarake dhe demonizimi i furishëm i vendit tonë. Aleanca e Atlantikut të Veriut po përpiqet të frikësojë publikun dhe të justifikojë rritjen e shfrenuar të shpenzimeve për të mbështetur Kievin në mënyrë që t’i shkaktojë disfatë strategjike Rusisë”, ka thënë diplomati rus.
Nga e marta deri të enjten në Uashington mbahet samiti i 75-vjetorit të NATO-s dhe fokusi kryesor do të jetë vazhdimi i ndihmës për Ukrainën.