Arben Vitia është emëruar sërish në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Vitia edhe më parë kishte udhëhequr me këtë ministri. Ai ishte dorëhequr nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, në tetor të vitit 2021 për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale ku garonte për të parin e Komunës së Prishtinës.
“Pata privilegjin t’i shërbejë popullit në kohë të vështirë. Më lejoni të ju njoftoj për vendimin që e kam marrë në dakordim me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbylli angazhimin tim në këtë detyrë, me të cilën më pat ngarkuar Kurti, ku jam mirënjohës ndaj tij”, pati deklaruar atë kohë, Vitia.
Pas dorëheqjes në tetor 2021, në vendin e tij ishte emëruar ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. Më pas në pozitën e ministrit në këtë dikaster erdhi Rifat Latifi, porse i njëjti dha dorëheqje duke e rikthyer Gexha-Bunjakun përsëri si ushtruese e detyrës për 79 ditë.