Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për kontrabandë me emigrantë.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media, ku është thënë se zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve-Departamenti i Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prizren, nga muaji mars 2023 kanë zhvilluar hetime ku janë aplikuar edhe masat e fshehta-teknike të hetimit ndaj disa personave nën dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në veprimtari penale ‘kontrabanda me emigrantë’.
“Mbrëmë, më 19.06.2023, disa nga të dyshuarit të cilët ishin duke u hetuar nga Departamenti i Kufirit, janë përfshirë në një rast në Prishtinë. Pas kësaj, prokurori i PTh-Prizren, në koordinim me gjykatësin e procedurës paraprake, kanë lëshuar urdhër verbal për kontrolle në katër lokacione dy në Fushë Kosovë dhe dy në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Gjatë operacionit policor, janë arrestuar shtatë të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’. Të arrestuarit janë: një palestinez, dy sirianë, një algjerian, dy libanezë dhe një shqiptar.
“Dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit dhe përkthyesit ligjor dhe më pas, me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.