Një incident me armë zjarri ka ndodhur pas mesnate në fshatin Dubravë të Istogut, një polic ka qëlluar aksidentalisht një të mitur në kokë.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët konfirmojnë se i mituri është plagosur në kokë, transmeton Telegrafi.
“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”.
Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.