Protesta në mbështetje për Palestinën e cila vazhdonte prej tre ditësh në Universitetin e Vjenës në Austri u shpërnda me bastisjen e kryer në orët e natës nga policia e cila arrestoi 3 protestues, raporton Anadolu.
Protesta paqësore që vazhdonte me tendat e ngritura nga studentët në kampusin Altes AKH në Universitetin e Vjenës u shpërnda nga policia. Në një deklaratë nga policia e Vjenës në llogarinë X thuhet se në kuadër të operacionit të ndërmarrë në orët e vona u konfiskuan tendat e studentëve dhe u shpërndanë protestuesit.
Një grup u mblodh para kampusit për të mbështetur studentët dhe për të reaguar ndaj bastisjes së papritur të policisë, e cila në ditën e parë të protestës bëri të ditur se nuk kishte arsye për të shpërndarë “protestën në kampus”.
Grupi i cili reagoi ndaj vendimit të policisë, bllokoi trafikun në kryqëzimin para kampusit dhe mbajti protestë duke u ulur. Grupi brohoriti me sloganet “Turp policia e Vjenës” dhe kërkoi lirimin e 3 protestuesve të arrestuar.
– Protesta në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Vjenës filloi më 6 maj
Me protestën që filloi më 6 maj në kampusin Altes AKH, studentët e Universitetit të Vjenës iu bashkuan protestave universitare të cilat nisën në mbështetje të Palestinës në Universitetin Columbia të SHBA-së dhe të cilat u përhapën në shumë vende të botës.
Dje edhe mbështetësit e Izraelit mbajtën protestë kundër protestës pro-Palestinës që vazhdoi në mënyrë paqësore.
Kreu i komunitetit hebre në Austri, Oskar Deutsch tha se protestat pro-palestineze në universitetet e Gjermanisë janë shpërndarë nga policia dhe se e njëjta gjë duhet të bëhet edhe në Vjenë.
Universiteti i Vjenës shprehu shqetësimin për protestat e mbajtura në mbështetje të Palestinës.
The post Austri, policia ndërhyn ndaj protestuesve pro-palestinezë në Universitetin e Vjenës first appeared on Radio Televizioni Iliria.