Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se mbi rrugën Laçin dhe në drejtime të tjera u krijuan korridor humanitar dhe pika të pritjes me qëllim për të siguruar evakuimin e popullatës civile armene në Karabak nga zonat e rrezikshme, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se vazhdojnë masat lokale antiterroriste të zhvilluara nga ushtria e Azerbajxhanit në rajonin e Karabakut. Më tej theksohet se në kuadër të masave, nuk vendosen në objektiv civilët dhe objektet e infrastrukturës, por se shkatërrohen vetëm objektivat legjitime ushtarake.
Në deklaratë civilëve armenë në Karabak u bëhet thirrje të qëndrojnë larg vendeve ku ndodhen objektet ushtarake të forcave të armatosura të Armenisë dhe të mos ofrojnë mbështetje ndaj tyre.
“Lidhur me këtë, banorëve armenë në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit u është dërguar informacion përmes shërbimit celular SMS. Në të njëjtën kohë popullata paralajmërohet përmes altoparlantëve dhe po shpërndahen broshura informuese. Do të sigurohet mbrojtja dhe ruajtja e objekteve publike, sociale, arsimore, shëndetësore, fetare dhe të tjera, siguria e të cilave është e garantuar në përputhje me ligjet e Republikës së Azerbajxhanit dhe normat ndërkombëtare të së drejtës humanitare”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se “Për gratë, fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi fizike të kufizuar dhe të sëmurët do të sigurohen ndihmat e nevojshme mjekësore dhe të tjera si dhe do të plotësohen nevojat për ujë të pijshëm dhe ushqime. Me qëllim për të siguruar evakuimin e popullatës nga zona e rrezikshme, mbi rrugën Laçin dhe në drejtime të tjera u krijuan korridor humanitar dhe pika të pritjes me qëllim për të siguruar evakuimin e popullatës nga zona e rrezikshme”.
Ministria ka njoftuar fillimin e masave lokale antiterroriste me qëllimin për të rivendosur rendin kushtetues në Karabak, për të çarmatosur njësitë e forcave të armatosura armene dhe për t’i larguar ato nga territori i Azerbajxhanit.