Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se ka nisur operacion antiterrorist për të rivendosur rendin kushtetues në Karabak, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se forcat e armatosura armene në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit hapën sistematikisht zjarr mbi pozicionet e ushtrisë së Azerbajxhanit gjatë muajve të fundit, vazhduan hedhjen e minave në toka, kryen fortifikim dhe bënë që tensionet të rriten.
Thuhet se forcat armene forcuan pozicionet e tyre me personel, mjete të blinduara, pajisje artilerie dhe automjete të tjera, i bënë njësitë e tyre të gatshme për luftë në një nivel të lartë, krijuan njësi përforcimi, zgjeruan aktivitetet e tyre të inteligjencës kundër ushtrisë së Azerbajxhanit dhe ndërmorën veprime të tilla si vendosja e minave në tokat e pastruara nga minat.
Në deklaratë kujtohet se si pasojë e shpërthimit të minave të vendosura nga forcat armene në autostradën Ahmetbeyli-Fuzuli-Shusha në provincën Khojavent kanë humbur jetën civilë dhe policë.
“Civilët dhe objektet e infrastrukturës nuk janë në shënjestër”
Theksohet se prania e vazhdueshme e forcave të armatosura armene në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit, në kundërshtim me dispozitat e deklaratës trepalëshe të nënshkruar më 10 nëntor 2020, përbën kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Është nisur një operacion antiterror me qëllim të sigurimit të dispozitave të deklaratës trepalëshe, parandalimin e provokimeve në shkallë të gjerë në rajonin ekonomik të Karabakut, çarmatimin e njësive të forcave të armatosura armene dhe largimin e tyre nga territori ynë, neutralizimin e infrastrukturës së ushtrisë së tyre, duke garantuar sigurinë e popullatës civile që kthehet në tokat e çliruara nga okupimi dhe rivendosjen e strukturës kushtetuese të Republikës së Azerbajxhanit”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se “Në këtë kontekst janë çaktivizuar pozicionet e forcave të armatosura armene në vijën e frontit dhe në thellësi të frontit, pikat e qitjes afatgjatë, mjetet luftarake dhe objektet ushtarake duke përdorur armë me precizitet të lartë. Civilët dhe objektet e infrastrukturës nuk janë në shënjestër, vetëm objektivat legjitime ushtarake janë shkatërruar.
“Komanda e Forcave Ruse të Paqes dhe menaxhmenti i Qendrës së Përbashkët të Vëzhgimit Turko-Rus u informuan për masat e marra”, thuhet në deklaratën e ministrisë.