Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock theksoi rëndësinë e energjisë së erës në det të hapur për tranzicionin e energjisë, gjatë një forumi me partnerët evropianë.
“Deti, siç e dini shumë prej jush, është një thesar. Një thesar që ne të gjithë e ndajmë, por gjithashtu një thesar që mund ta përdorim më mirë. Një thesar për energjinë e gjelbër,” tha ajo në Forumin baltik të Erës në Det të Hapur në Berlin.
“Komisioni Evropian vlerëson kapacitetin për energjinë e erës në detin Baltik në më shumë se 93 gigavat. Kjo është e barabartë me prodhimin e rreth 90 centraleve bërthamore me madhësi mesatare”, theksoi ajo.
Të ftuarit në forum përfshinin ministrin e Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen dhe ministrin e Jashtëm të Finlandës, Pekka Olavi Haavisto.
Së bashku me vendet e tjera në rajon, Gjermania dëshiron të zgjerojë energjinë e erës në det të hapur në detin Baltik në mënyrë që të heqë gradualisht karburantet fosile, veçanërisht naftën, qymyrin dhe gazin rus.
”Çdo turbinë ere e ndërtuar është një investim në sigurinë tonë, sepse kalimi në energjinë e gjelbër na bën më pak të varur nga nafta, qymyri dhe gazi nga vendet ku nuk mund të mbështetemi gjithmonë”, tha Baerbock.
Energjia e erës në det të hapur, së bashku me energjinë e erës në tokë dhe energjinë diellore, janë thelbësore për zgjerimin e energjisë elektrike të gjelbër në Gjermani.
Qeveria aktuale e koalicionit ka rritur ndjeshëm objektivat e zgjerimit për energjinë e erës në det të hapur në krahasim me qeverinë e mëparshme. /atsh