AKU kërkoi sot nga konsumatorët të mos konsumojmë produktin ‘Wudy’, duke njoftuar prezencën e një bakteri të dëmshëm për shëndetin e njeriut, i njohur si Listeria monocytogenes STI55.
Po çfarë është bakteri Listeria monocytogenes STI55?
Listerioza është një sëmundje që shkaktohet nga ngrënia e ushqimeve të pagatuara, të ngrira dhe të gatshme për t’u ngrënë, që janë kontaminuar me bakterin e quajtur Listeria monocytogenes, ose thjesht Listeria.
Listerioza është e rrallë, por mund të shkaktojë simptoma të rënda, madje edhe vdekje, në grupet me ndjeshmëri të lartë. Tek të rriturit e shëndetshëm, Listeria mund të shkaktojë një sëmundje të ngjashme me gripin. Ajo mund të shkaktojë sëmundje të rënda tek të moshuarit, gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre të palindura, foshnjat e sapolindura dhe njerëzit me një sistem imunitar të dëmtuar ose të dobësuar.
Si mund të ekspozohem ndaj këtij infeksioni?
Listeria është e përhapur gjerësisht dhe mund të helmojë shumë ushqime. Më tepër shqetësim janë ushqimet që nuk kërkojnë gatim të mëtejshëm, ose nuk ringrohen sërish, si përshembull ushqimet e ngrira e të gatshme për t’u ngrënë.
Si ta kuptoj që jam infektuar me Listerozë?
Infeksioni tek të rriturit e shëndetshëm, zakonisht, nuk paraqet simptoma, ose shfaqet si një sëmundje e ngjashme me gripin. Megjithatë, në njerëz të veçantë, përfshi të moshuarit, gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre të palindura, foshnjat e sapolindura dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, madje edhe vdekje. Një person që është prekur nga infeksioni i Listerisë mund të ketë simptoma të tilla si: temperaturë e lartë, këputje dhe dhimbje koke. Ndodh që simptomat janë të lehta, ndaj nuk kuptohet prania e infeksionit. Nëse jeni të shqetësuar për simptomat ose sëmundjen, ju lutem, këshillohuni me mjekun e familjes.
Si mund të parandalohet infeksioni?
Mund ta zvogëloni rrezikun e marrjes së infeksionit, duke ngrënë ushqime të freskëta të sapogatuara apo të përgatitura rishtazi, dhe duke shmangur ushqimet që mund të kenë Listeri. Ndiqni gjithashtu hapat në vijim:
Pastrimi: Lajini të gjitha frutat, zarzavatet dhe sallatrat, plotësisht, përpara se t’i hani.
Gatimi: Gatuajeni mirë ushqimin dhe shërbejeni atë kur është ende i nxehtë. Sigurohuni që, gjatë përgatitjes së të gjitha llojeve të ushqimeve, të ndiqni udhëzimet e prodhuesit.
Ngrirja: Sigurohuni që temperatura e frigoriferit tuaj është 5°C ose nën të. Ushqimet e ngrira futini, menjëherë, në frigorifer.
Kontrolli: Ushqimet me datë skadence të kaluar, hidhini në kosh të mbeturinave, dhe, nëse paketimi i ushqimit është hapur, konsumojeni atë brenda dy ditësh.
Ndarja: Ushqimet e gatuara dhe ushqimet e gjalla duhet t’i mbani të ndara nga njëra-tjetra.