Nikola Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka thënë se trupat amerikane ishin tërhequr nga Afganistani për t’u fokusuar në përgatitjen e Ukrainës për t’iu kundërvu ofensivës ruse.
“Largimi i papritur i amerikanëve nga ky vend, siç doli, është kryesisht rezultat i përqendrimit në Ukrainë, ku, sipas vlerësimeve të tyre, përgatitja e regjimit marionet të Kievit për veprime sulmuese po shkonte mirë. Kështu, këtë e konfirmoi edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken, i cili tha se nëse ushtria amerikane nuk do të ishte larguar nga Afganistani, Uashingtoni nuk do të ishte në gjendje të ndante kaq shumë para për Ukrainën”, ka thënë Patrushev për mediat ruse, transmeton AFP.
Patrushev ka thënë se Pentagoni zhvendosi një pjesë të pajisjeve nga Afganistani, kryesisht në Poloni, dhe i mundësoi Evropës të militarizonte autoritetet ukrainase.
Sipas Patrushev, prania amerikane në Afganistan nuk u shndërrua në luftë kundër terrorizmit, por në krijimin e skemave shumëmilionëshe të korrupsionit dhe rritje të shumëfishtë të prodhimit të drogës.
Pretendimet se Ukraina po përgatitej për sulm janë tejet të çuditshme, pasi ishte Rusia ajo që nisi një pushtim të plotë më 24 shkurt 2022 dhe u përpoq të rrëzonte qeverinë legjitime të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfunduan tërheqjen e trupave të tyre nga Afganistani në gusht 2021. /koha