Bashkimi Evropian ka kërkuar bashkëpunimin e vendeve të origjinës për të rritur shkallën e dëbimit të migrantëve të parregullt, deklaroi sot ministrja suedeze e Migracionit, Maria Stenergard.
“Mungesa e bashkëpunimit është një nga arsyet më të rëndësishme të shkallës së ulët të kthimeve në BE”, tha Stenegard në ditën e parë të një takimi dy-ditor të ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së, në Suedi.
Për vite me radhë, BE-ja është përpjekur të rrisë normat e dëbimit.
Sipas shifrave të Komisionit Evropian, vetëm 29% e migrantëve u larguan nga BE-ja në vitin 2019. Në vitin 2021, kjo normë u ul në 21%.
“Ne kemi një normë shumë të ulët kthimesh”, tha komisionerja e Çështjeve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson, duke theksuar se pak vende të BE-së po kontaktojnë vendet e origjinës për të bërë kërkesa ripranimi.
Johansson tha se bashkëpunimi është i nevojshëm nga vendet e origjinës pasi shpesh personat që mbërrijnë në bllok në mënyrë të parregullt nuk mbajnë pasaporta.
Në qendër të diskutimeve, në takimin e ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së, në Suedi ishte propozimi për zbatimin e pezullimit të vizave.