Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për fillimin e hetimeve lidhur me vrasjen e civilëve palestinezë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria në Twitter e Përfaqësisë së BE-së në Palestinë, thuhet se forcat izraelite kanë vrarë 10 palestinezë në 72 orët e fundit.
Më tej theksohet se kanë shqetësim lidhur me dhunën në rritje në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor nën pushtim dhe se viti 2020 është viti më i përgjakshëm në Palestinë që nga viti 2006.
– Ushtarët izraelitë qëlluan palestinezin nga distanca zero
Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet se ushtarët izraelitë hapën zjarr nga një distancë e afërt ndaj një palestinezi në zonën El-Huvvara në jug të qytetit Nablus, se ushtria izraelite pengoi ambulancën të arrijë tek i plagosuri dhe se palestinezi në fjalë ka humbur jetën.
Gjithashtu edhe sipas transmetuesit publik izraelit (KAN) bëhet e ditur se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një palestinezi që pretendohet se ka goditur me thikë dy ushtarë të cilët janë plagosur lehtë.
Shkaktoi shumë reagime në nivel ndërkombëtar dhe lokal pasi në median sociale u përhapën pamjet e një ushtari izraelit që shtyhej me një palestinez dhe më pas hapja e zjarrit dy herë nga distanca zero ndaj të riut palestinez.
Forcat izraelite shpeshherë me pretendime të ndryshme kryejnë bastisje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar. Si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë gjatë këtyre bastisjeve, që nga fillimi i vitit e deri më tani kanë humbur jetën mbi 100 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.