Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësor për stabilitetin e të gjithë rajonit, duke folur të mërkurën në konferencën e 27-të të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut.
Begaj u shpreh se Kosova e ka dëshmuar përkushtimin ndaj paqes dhe është faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Në bashkëpunim me aleatët tanë, kemi punuar vazhdimisht për të forcuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në Iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këtë Kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova, ndonëse është shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit, dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Begaj.
Karta e Adriatikut është shoqatë e formuar nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 me qëllim të ndihmës në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO. Në këtë shoqatë në vitin 2008 u bashkuan edhe Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi. Deri tash, vetëm Bosnja ende s’është anëtare e NATO-s. Kosova (2012) dhe Serbia (2008) e kanë rolin e vëzhguesit.
Në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë e ka pranuar se rajoni i Ballkanit përballet me sfidat specifike, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit.
“Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet. Ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në rajon”, ka shtuar ai.
The post Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut, thelbësor për stabilitetin e rajonit first appeared on Radio Televizioni Iliria.