Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, çdo marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të burgosurish me Hamasin e ka quajtur një “gabim të rëndë”, transmeton Anadolu.
Të enjten, Izraeli do të dërgojë ekipin e tij negociues në Egjipt për të rifilluar bisedimet e armëpushimit në Gaza dhe për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.
“Ne po e shtypim Hamasin. Unë dëgjoj jo vetëm mendimet e zyrtarëve në kabinetin e sigurisë, por edhe komandantët në terren. A do ta forcojmë tani Hamasin duke marrë pjesë në bisedime… është një gabim i rëndë i kryeministrit”, tha Ben-Gvir.
Ministri ekstremist pohoi se e vetmja mënyrë për t’i liruar izraelitët e mbajtur peng nga Hamasi është përmes “shtimit të presionit ushtarak”.
“Nëse ua ndërpresim karburantin, brenda një jave ata do të binin në gjunjë. Dhe nëse ndalojmë kamionët (me ndihma), brenda dy javëve ata do të jenë në gjunjë. Pra, pse të bëjmë një marrëveshje, veçanërisht një marrëveshje kaq të papërgjegjshme”, tha ai.
Të dielën, gazeta izraelite ‘Yedioth Ahronoth’ tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me presion në rritje nga SHBA-ja për të vazhduar me një marrëveshje me Hamasin, edhe nëse kjo do të çojë në “rënien e qeverisë së tij”.
Sipas të përditshmes izraelite, raundi i ardhshëm i bisedimeve në Kajro shihet si “mundësi e fundit absolute” për të arritur një armëpushim në Gaza dhe rajon.
Për muaj të tërë, Egjipti, Katari dhe SHBA-ja kanë udhëhequr negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, por asnjë marrëveshje nuk është arritur për shkak të refuzimit të Izraelit për të përmbushur kërkesat e Hamasit për t’i dhënë fund luftës, për të tërhequr trupat nga Gaza dhe për të lejuar palestinezët e zhvendosur të kthehen në veri të Gazës.
Izraeli ka vazhduar ofensivën shkatërruese ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 39.800 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 92 mijë të tjerë janë plagosur.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.