O njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se besimi në Ditën e Kiametit është një nga gjashtë shtyllat e imanit pa të cilën shtyllë nuk plotësohet imani i njeriut.
Pasi që asaj Dite i paraprijnë shenja që aludojnë në afrimin e saj, neve na mbetet që t’i mësojmë ato për arsye se besimi në to është i patjetërsueshëm dhe është nga bazamentet e ideologjisë së një muslimani. Allahu i Madhëruar thotë: “U afrua Ora dhe u ça Hëna” . (El-Kamer: 1); “A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur” . (Muhamed: 18)
Imam Bagaviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte një nga shenjat e Kiametit.
Allahu i Madhëruar thotë: “E si do ta dije ti që ndoshta Dita e Kiametit është afër” . (Esh-Shura: 17) dhe “A mos presin ata diçka tjetër, përveç Orës (së Kiametit), që do t’u vijë papritmas e pa e ndier fare?!” . (Ez-Zuhruf 66)
Për shkak se ndodhia e kësaj Dite është afër, Allahu e konsideroi atë sikurse të nesërmen: “Çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!” . (El-Hashr: 18); “Ata e mendojnë atë (dënim) të largët, kurse Ne e shohim të afërt” . (El-Mearixh: 6-7)
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Unë dhe Dita e Kiametit jemi dërguar si këta dy gishta” .
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mosha juaj në krahasim me moshën e popujve të kaluar është si koha e mbetur prej kësaj dite në krahasim me atë që ka kaluar prej saj” . Me një transmetim tjetër thuhet: “Afati juaj në krahasim me afatin e popujve të mëparshëm është sa koha midis namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit” .
Pasi që çështja e shenjave të Kiametit është e rëndësishme edhe përkujdesja për to është më e madhe në krahasim më çështjet e tjera, kjo është edhe arsyeja se pse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shpeshtonte sqarimin e shenjave të saj dhe sprovave që do të ndodhin mes saj dhe e paralajmëronte Umetin e tij që të përgatitet për këtë Ditë. Koha se kur do të ndodhë kjo Ditë e dinë vetëm se Allahu, kurse për të mirën e njeriut ajo u fsheh nga dituria e tij me qëllim që ai të jetë në përgatitje të vazhdueshme ashtu siç u fsheh nga ai edhe momenti i vdekjes së tij me qëllim që ai vazhdimisht të jetë në përgatitje dhe veprim dhe t’i largohet dembelisë dhe përtacisë.
Imam Safariniju, Allahu e mëshiroftë, thotë se shenjat e Kiametit ndahen në tre lloje:
- Shenja të cilat janë paraqitur dhe kanë kaluar dhe ato janë shenja të largëta.
Këto shenja janë ato që janë paraqitur në të kaluarën dhe janë ndërprerë, si dërgimi i Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe vdekja e tij, çlirimi i Bejtul Makdesit, vrasja e udhëheqësit të muslimanëve Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, paraqitja e rrenacakëve të cilët pretendojnë se janë të Dërguar, tërmetet e shumta, e shumë shenja tjera të cilat janë paraqitur nëpër citatet e Sunetit.
- Shenja të cilat janë të mesme dhe ato janë të cilat janë paraqitur dhe nuk janë ndërprerë madje ato shtohen dhe numri i tyre është shumë i madh.
Nga to e kemi fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa i ulëti dhe i poshtëri (dhe ata që i përngjasojnë) nuk bëhen njerëz më të lumtur të dynjasë (kryetar e sundimtar të popujve).
Po ashtu nga shenjat e saj janë ajo që ka ardhur në hadith: “Do të vijë një kohë ku ai që kapet për Fe dhe bën durim në të, të i ngjan atij që është kapur për gacë” .
Nga shenjat tjera janë edhe se para Kiametit do të ketë njerëz injorantë dhe lexues të Kur’anit gjynahqarë, pastaj humbja e amanetit të cilën i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e komentoi me atë që i jepet detyra dhe nuk është i aftë e as i kualifikuar ta kryejë, pastaj ngritjen e diturisë, përhapjen e injorancës, shtimi i imoralitetit dhe pirjes së alkoolit, zvogëlimi i numrave të burrave dhe shtimi i numrave grave derisa një burrë të jetë për pesëdhjetë gra, e shumë shenja të tjera.
- Shenjat e mëdha të cilat paraqiten para se të ndodhë Kiameti.
Nga ato shenja është dalja e Mehdiut, dalja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, shkatërrimi i Qabes, paraqitja e tymit, ngritja e Kur’anit, lindja e diellit nga perëndimi, dalja e kafshës, paraqitja e zjarrit, etj.
Sidoqoftë, çështja është shumë e rrezikshme kurse ne jemi në një shkujdesje të madhe. Një numër i madh i këtyre shenjave janë paraqitur dhe nuk kanë mbetur vetëm se paraqitja e shenjave të mëdha. Kërkoj nga Allahu që të na përqendrojë dhe përforcojë në fenë e Tij dhe të na mundësojë të vdesim si muslimanë dhe të na mbrojë nga të gjitha fitnet, të dukshmet dhe të fshehtat.
Këto lajmërime për të ardhmen pa dyshim se janë nga shenjat e profetësisë dhe nga mrekullitë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të cilat ia ka mësuar Allahu dhe kjo ndikon në përforcimin e imanit të njeriut.
Në lajmërimin e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka mëshirë për njerëzit me qëllim që të paralajmërohen dhe të përgatiten për ahiretin e tyre. Luftërat, problemet, sëmundjet e shumta, përhapja e mëkateve dhe gjynaheve, vdekjet e papritura, sprovat e ndryshme, mosrespektimi i prindërve, mosrespektimi i drejtave të fëmijëve, e shumë vepra tjera janë nga shenjat e Ditës së Kiametit. Për këtë arsye, o ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe dijeni se dynjaja nuk është e përhershme, mos jetoni në të të qetë e në rehati po veproni dhe angazhohuni. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e porositi ibën Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “O biri, i Omerit” Jeto në dynja sikur të jesh i vetmuar (i huaj) ose si udhëtar dhe llogarite veten tënde prej banorëve të Xhenetit” .
Shejh Dr. Salih El Feuzan
Nga arabishtja: Irfan JAHIU