Presidenti amerikan Joe Biden kundërshtoi ashpër vendimin e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) Karim Khan për të kërkuar urdhër arresti për dy zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.
Biden shprehu zemërim ndaj vendimit dhe u zotua të qëndrojë me Izraelin ndërsa procesi po zhvillohet. Ai më tej dënoi atë që ai e quajti “ekuivalencën” e Khanit midis Izraelit dhe Hamasit, tre liderë të të cilit janë përfshirë në kërkesën e Khanit për urdhër arresti, siç është edhe ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant.
“Më lejoni të jem i qartë: çfarëdo që ky prokuror të nënkuptojë, nuk ka asnjë ekuivalencë – asnjë – midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, tha presidenti amerikan në një deklaratë.
Khan, prokurori i GJNP-së, njoftoi më herët sot se ka aplikuar për urdhër arresti kundër Netanyahut; Galant; kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh; zyrtarit më të lartë të tij në Gaza, Yahya Sinwar; dhe kreut të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif. Vendimi nëse ndonjë prej urdhrave të arrestit do të lëshohet përfundimisht i takon një paneli prej tre gjyqtarësh të GJNP-së, i cili do të vlerësojë provat e paraqitura nga zyra e Khanit.
Republikanë të lartë në Kongresin amerikan e kishin kërcënuar Khanin, zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë dhe familjet e tyre me hakmarrje nëse GJNP-ja do të iniconte urdhra arresti për zyrtarët izraelitë. Shtëpia e Bardhë ka thënë më parë se është kundër kërcënimeve ndaj zyrtarëve të gjykatës, por ka pohuar se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi Izraelin sepse nuk është nënshkrues i dokumentit themelues të gjykatës.
Në një deklaratë të veçantë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Washingtoni “thelbësisht e kundërshton” vendimin e Khanit, duke i bërë jehonë Bidenit në refuzimin e “ekuivalencës së prokurorit të Izraelit me Hamasin”.
Ndërsa administrata e Bidenit e ka hedhur poshtë juridiksionin e gjykatës mbi Izraelin sepse nuk është nënshkruese e Statutit të Romës, ajo ka lavdëruar vendimin e GJNP-së për të lëshuar urdhra arresti për zyrtarët e lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, për veprimet e Moskës në Ukrainë. Ashtu si Izraeli, edhe Rusia nuk është nënshkruese e Statutit të Romës.