Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se ai do të mbetet një aleat i palëkundur i Ukrainës dhe do të punojë për të rregulluar mbështetjen ndërkombëtare derisa Kievi vazhdon të përballet me një pushtim të vazhdueshëm rus, transmeton Anadolu.
Presidenti amerikan tha se gjatë takimeve me aleatët e tij të NATO-s në Washington, ai e bëri të qartë se “nuk do t’i përkulet” presidentit rus, Vladimir Putin.
“Unë nuk do të largohem nga Ukraina. Unë do ta mbaj NATO-n të fortë. Kjo është pikërisht ajo që bëmë dhe pikërisht ajo që do të vazhdojmë të bëjmë”, u tha Biden gazetarëve gjatë një konference për media.
“Për ata që mendonin se koha e NATO-s ka kaluar, ata patën një zgjim të vrazhdë kur Putin pushtoi Ukrainën. Disa frika më të vjetra dhe më të thella në Evropë u kthyen në jetë, sepse edhe një herë, një i çmendur vrasës ishte në marshim”, shtoi ai.
Pjesa më e madhe e samitit të kësaj jave u përqendrua drejtpërdrejtë në Ukrainë për t’u siguruar që Kievi ka atë që i nevojitet për të mbrojtur veten dhe për të larguar përfundimisht Rusinë nga territoret që ajo vazhdon të pushtojë pas dy vitesh lufte.
Njoftimet e lëshuara këtë javë kulmuan me nënshkrimin e asaj që njihet si Pakti i Ukrainës, i cili është një zotim i përbashkët midis 22 aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për të siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet në afat të gjatë.
Gjithashtu u njoftuan transferime shtesë të armëve, duke përfshirë sigurimin e pesë sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, si dhe ajo se avionët luftarakë F-16 të kërkuar prej kohësh nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, janë rrugës për në Ukrainë dhe këtë verë do të fluturojnë mbi qiellin e vendit të shkatërruar nga lufta.