Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se qasja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj konfliktit të Gazës mund të dëmtojë imazhin e vendit pasi “ai më shumë po e dëmton Izraelin sesa po e ndihmon”, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, transmeton Anadolu.
Në një intervistë ekskluzive me Jonathan Capehart në MSNBC të shtunën, Biden tha: “Ajo që po ndodh është se Netanyahu ka të drejtë të mbrojë Izraelin, të drejtën të vazhdojë të ndjekë Hamasin, por ai duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje jetëve të pafajshme që po shuhen si pasojë e veprimeve të ndërmarra”.
Biden beson se qasja e Netanyahut mund të dëmtojë imazhin e Izraelit, duke thënë: “Për mendimin tim, ai po e dëmton më shumë Izraelin sesa po e ndihmon Izraelin”.
Duke theksuar dëshirën e tij për një armëpushim, duke propozuar një shkëmbim të madh të të burgosurve për një periudhë gjashtëjavore që të përkojë me muajin e Ramazanit, ai tha: “Unë dua të shoh një armëpushim dhe po filloj me një shkëmbim të madh të të burgosurve për një periudhë gjashtëjavore. Po hyjmë në Ramazan. Nuk duhet të ndodhë asgjë dhe ne do ta ndërtojmë atë armëpushim”.
– Vija e kuqe
Kur u pyet në lidhje me vijat e kuqe të mundshme që Izraeli mund të ketë kaluar, Biden përsëriti rëndësinë e mbrojtjes së Izraelit duke nënvizuar kufizimet e veprimeve që rezultojnë në viktima të konsiderueshme civile.
“Ka një vijë të kuqe, por unë nuk do ta braktisë kurrë Izraelin. Mbrojtja e Izraelit është ende kritike”, tha Biden.
“Por ka vija të kuqe nëse ai i kalon ato – nuk mund të keni 30.000 palestinezë të tjerë të vdekur”, shtoi Biden.
Biden shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij për t’iu drejtuar Knessetit në Izrael, por nuk preferoi të thellohej në detaje specifike në lidhje me ftesën.