Rënia e interesimit për të blerë dhe lexuar libra po konsiderohet se është trend në rritje. Derisa po vlerësohet se teknologjia është bërë “armiku”, më i madh i librit.
Autoret dhe shtëpitë botuese tregojnë se me kalimin e kohës po bie kurioziteti i qytetarëve për të blerë dhe lexuar vepra.
Në hapjen e edicionit të 24-të të Panairit të Librit, me moton “Përgjigjja është libri”, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth gjashtë mijë tituj, prej tyre dy mijë tituj të rinj.
Disa nga shtëpitë botuese dhe autorët ankohen për numrin e vogël të vizitorëve.
Dritë Ruhani nga shtëpia botuese “Morena”, tha se për dallim të panaireve që janë mbajtur viteve të kaluara, kësaj herë qarkullimi i qytetarëve ka qenë më i dobët.
Ajo tha se me rënien e interesimit për lexim, ka rënë dhe numri i autorëve që shkruajnë për fëmijë.
“Hapja e panairit është shumë me rëndësi sepse këtu kanë mundësi si lexuesit të takohen e autorët apo autorët vetë t’i prezantojnë librat e tyre…Për dallim prej panaireve të viteve të kaluara ka qenë më dobët, ka pasur më pak…Ka shumë më pak vizitorë…Vetë interesimi për leximin e librave ka rënë me të madhe, saqë edhe vetë numri i autorëve, sidomos të autorëve të letërsisë për fëmijë është në shuarje”, tha Ruhani.
Edhe autori i disa librave për fëmijë, Fatmir Gjestila derisa pohoi se trendi i rënies së numrit të lexuesve është në rënie, potencoi teknologjinë si konkurrentin më të fuqishëm të librit.
Ai theksoi se mësimdhënësit duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i zgjojnë fëmijëve dëshirën për të lexuar.
Po ashtu, edhe Florentina Hoti nga shtëpia botuese “Magjia e librit”, për KP u shpreh se fluksi i lexuesve ka rënë këtë vit.
Por pavarësisht këtij fakti, ende ka fëmijë të cilët e duan leximin.
Liza Zeneli tregoi se nga janari i këtij viti deri më tani ka lexuar rreth 50 libra.
“Uma dhe përgjigja e të gjitha pyetjeve”, është titulli i librit për të cilin ajo tha se po e pëlqen më shumë kohëve të fundit.
Zeneli tha se më shumë preferon ta lexojë një vepër sesa të luajë një lojë në telefon.
Edhe pesë vjeçarja, Daorsa Bunjaku tha se në panair ka blerë tre artikuj me imazhe.
Ajo u shpreh entuziaste që kur t’i mësojë shkronjat, do të jetë lexuese besnike e librave.
“Kam ardhur në panair i librave, për t’i blerë këto libra. I kam blerë tri. Sepse janë më stikera dhe i dua shumë stikerat”, tregoi Bunjaku.
Edicioni i 24-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), do të jetë i hapur deri më 9 qershor , në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.