Janë mbi 5 mijë punëtorë të cilët janë formalizuar nga kompanitë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri me vendim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që punëtorëve t’u jepet kontratë qysh një ditë para fillimit të punës. Kështu, bëjnë të ditur drejtues nga Administrata Tatimore të Kosovës (ATK), që sipas tyre ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.
Të suksesshëm këtë vendim, e vlerësojnë edhe nga Ministria e Financave, për dallim nga njohës të ekonomisë dhe biznese të cilët konsiderojnë se jo çdoherë duhet të sanksionohet kompania, porse gjoba duhet të shkojë edhe për punëtorin që ka pranuar të punojë duke shkelur ligjin.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se në vazhdimësi ekipet përgjegjëse janë në terren duke shikuar nëse po respektohet ligji.
“Është duke u zbatuar. Patjetër që ka gjoba parashihet me ligj çdo gjë. Është në vazhdimësi, në terren janë ekipet, në momentin kur e kemi një përmbledhje ose përfundim mund të dalim me njoftime se sa ka gjoba apo si janë shqiptuar. Por, po ka sukses, se po ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve ose të bizneseve që kanë regjistruar punëtorët e tyre”, thotë Murati.
Ndërsa, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, thotë se kjo po parandalon tendencat që bizneset por edhe punëtorët të justifikoheshin gjatë inspektimeve në kohën kur kanë hasur në punëtor të pa formalizuar.
“Kjo parandalon gjetjet e tona ose tendencat që gjatë inspektimeve të inspektorëve në terren në vazhdimësi bizneset por edhe punëtorët mundoheshin të justifikoheshin sikurse në të njëjtën ditë kur është gjetur i pa formalizuar atë ditë ka filluar punën. Gjatë inspektimeve ka raste që gjenden edhe shkelje, fatkeqësisht ende ka prezentë, edhe pse ka një përmirësim të konsiderueshëm, sepse…mund të jenë rreth 200 punëtor të identifikuar por që fakti që ka përmirësim nuk nënkupton që duhet të ndalime”, thotë Murtezaj.
Ndërkaq, me këtë ligj, nuk janë shprehur të kënaqura bizneset. Sipas tyre, jo çdoherë duhet të pësojë kompania.
Biznesmeni Ramiz Kelmendi, thotë se çdoherë po sanksionohet kompania, pavarësisht se punëtori është ai që nuk duhet të pranojë të shkel ligjin dhe të punojë pa kontratë.
“Nuk është as i dobishëm, por as i dëmshëm. Meqenëse të gjitha ato biznese formale për ta nuk paraqet problem, por as ndonjë dobi as për biznesin, dhe të punësuarin. Inspektori i punës por edhe vet punëdhënësi e punëmarrësi, janë të vetëdijshëm dhe janë të obligueshëm ta lejojnë ligjin e punës në momentin kur dëshiron të aplikojë për punë…Në momentin që tani ekziston edhe i punësuari pa kontratë pune, edhe punëdhënësi pa kontratë pune, gjoba ish dashtë të shkojë tek dy palët, për arsyeje se edhe ky e ka filluar punën pa kontratë, por edhe tjetri ja ka mundësuar ardhjen në punë pa kontratë. Prandaj, nuk e kemi tash një palë, por gjithmonë duhet t’i konsiderojmë punëtorët si njerëz që njohin ligjin, që janë intelektual që dinë rregullat, dhe jo assesi që gjithmonë të sanksionohet kompania, se në këtë rast gjithnjë po sanksionohet kompania. Prandaj, sa herë që gjobitet është një dëm, duhet të gjobitet ai që e ka shkelur ligjin”, thotë Kelmendi.