Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken i cili zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në kryeqytetin grek, Athinë, tha se janë pro afrimit mes dy vendeve aleate Turqise dhe Greqisë dhe ka njoftuar se afrimi mund të krijojë mundësi të reja për Ankaranë dhe Athinën.
Në një intervistë për MEGA TV që transmeton në Greqi, Blinken tha se mbështetja që Greqia i dha Turqise pas tërmetit me qendër në Kahramanmaraş ka prekur zemrat e turqve. “Isha atje dhe bisedova me shumë kolegë të mi turq. Një nga gjërat e para që thanë ishte se sa kuptimplotë ishte ardhja e ndihmës nga qytetarët grekë. Për mendimin tim kjo përbën një atmosferë të mirë”, tha Blinken.
Ai vuri në dukje se shpreson që të vazhdojë qetësia që po përjetohet në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë. “Ndoshta mund të jetë një mundësi për forcimin e dialogut në muajt e ardhshëm dhe për zgjidhjen e problemeve që vazhdojnë një kohë të gjatë”, tha Blinken.
“Kjo për SHBA-në është e rëndësishme, sepse Greqia dhe Turqia janë aleatët, partnerët dhe miqtë tanë të ngushtë. Sigurisht që do duam t’i shohim ata të afrohen. Nëse e bëjnë këtë, mundësitë për të dy vendet do të jenë të pabesueshme”, tha sekretari amerikan. /atsh