RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Blinken – Kurtit: Kryetarët t’i kryejnë detyrat jashtë objekteve komunale

blinken-–-kurtit:-kryetaret-t’i-kryejne-detyrat-jashte-objekteve-komunale

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Deklarata e Sekretarit Amerikan vjen pas tre ditësh tensionesh në komunat veriore të Kosovës, pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Në mbrëmjen e 29 majit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për The Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.

Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

Të premten, në një deklaratë tjetër, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, për të.

Related posts

Kontrabandimi i mallrave po i shkakton dëme të mëdha Kosovës

rezart morina

Prodhuesi gjerman i ar’mëve merr një porosi rekord prej 8.5 miliardë eurosh

RTI

Blinken vizitë për herë të 6-të në Lindjen e Mesme, përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Gazë

admin