RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bosnjë, partitë përmbushën shumë pak premtime zgjedhore

bosnje,-partite-permbushen-shume-pak-premtime-zgjedhore

Partitë politike që përbëjnë qeverinë aktuale të Bosnjës, kanë përmbushur vetëm një pjesë të vogël të premtimeve parazgjedhore, thuhet në raportin e fundit të organizatës Istinomjer.

Partitë politike që përbëjnë shumicën në qeverinë e Bosnjës, kanë përmbushur plotësisht vetëm gjashtë nga 189 premtimet e tyre parazgjedhore, thotë raporti, i publikuar të enjten.

Kjo përbën vetëm 3% të të gjitha premtimeve, një rezultat i ngjashëm me atë të partive në Këshillin e mëparshëm, duke vazhduar traditën e premtimeve boshe të fushatës.

Rreth 35% e të gjitha premtimeve në mandatin e kaluar, janë përmbushur pjesërisht. “Numri më i madh i premtimeve, 109 prej tyre (57%), kanë mbetur të papërmbushura, dhe një prej tyre është vlerësuar si i pabazë”, thuhet në raport.

Numri më i madh i premtimeve është bërë nga Partia Boshnjake e Veprimit Demokratik, SDA, vazhdon raporti, duke theksuar se ajo ka përmbushur vetëm tre nga 89 premtimet.

Katër nga gjashtë premtimet gjatë mandatit janë bërë në fushën e ekonomisë, ndërsa dy lidhen me organizimin shtetëror.

Ato kishin të bënin me rritjen e pagave dhe PBB-së për banor, miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Strategjisë për Menaxhimin e Borxhit Publik, si dhe zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese për qytetin Mostar.

Partia më e madhe e serbëve boshnjakë, Unioni i Social Demokratëve të Pavarur, (SNSD), i drejtuar nga Milorad Dodiku, nuk përpiloi ndonjë program specifik për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018. Në vend të kësaj, “organizata i grumbulloi premtimet e partisë gjatë fushatës zgjedhore, nga fjalimet publike të zyrtarëve të saj”, thuhet në raport.

SNSD-ja premtoi se do të ndalonte integrimin e mëtejshëm të Bosnjës në NATO, do të bllokonte zhvillimin e stërvitjeve ushtarake në territorin e entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, do të shfuqizonte Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, dhe do të siguronte largimin e gjyqtarëve të huaj nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.

Partia kryesore kroate, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, përmbushi vetëm një premtim parazgjedhor, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për zgjedhjet në qytetin Mostar. Gjashtë premtime të tjera u përmbushën vetëm pjesërisht. /monitor

Related posts

Kosovë, Banka Qendrore ndalon riqarkullimin e kartmonedhës 500 euro

admin

Arrestohet edhe një i dyshuar për vrasjen në Bibaj

RTI

Dështimi i takimit të djeshëm në Bruksel, Serbia: Prishtina po vret dialogun!

admin