Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, riafirmoi solidaritetin e vazhdueshëm të vendit të tij me Palestinën, transmeton Anadolu.
Në një bisedë telefonike, Çavuşoğlu i tha homologut të tij palestinez Riad Maliki se Turqia i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së shenjtërisë dhe statusit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Duke theksuar solidaritetin e vazhdueshëm të Turqisë me Palestinën, Çavuşoğlu shprehu gjithashtu gatishmërinë e vendit të tij për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të ulur tensionet.
Nga ana e tij, Maliki përcolli mirënjohjen për mbështetjen e Turqisë.
Të mërkurën, policia izraelite njoftoi se arrestoi 350 palestinezë nga kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, ndërsa dëshmitarët thanë se forcat izraelite përdorën forcë të tepruar, duke përfshirë gaz lotsjellës.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Më pas, aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.