Çmimi i bukës vazhdon të shënojë rritje enorme në vendin tonë edhe pse analizat e fundit tregojnë që çmimi i grurit në nivel botëror gjatë muajit korrik ka pësuar rënie të madhe. Sot çmimi i bukës nga kompania “Dime” kushton 50 denarë, ndërsa bukët nga kompanitë tjera vazhdojnë të shiten me çmimet të cilat shënuan rritje disa muaj më parë.
Reagime të qytetarëve
“As dru as bukë, s’kemi, krejt shtrejtë, unë pensionin e marr 14.000 denare cfare te bëjë me ato, a energji të paguaj a bukë të blejë, turshi të vëndojmë, familja duhet të hajë, shumë rëndë është bë, edhe punëtorët njejtë e kanë. Deri kur do të shkojë kjo kështu nuk e dimë”.
“Çmimet ende nuk i kanë balancuar, duhet të bëjnë një çfarë balance plus transporti është më i shtrejtë prej aty ku vie, duhet të ulen të bëjnë një lloj marrëveshje me mullinjët që punojnë me i subvencionu, qe të gjendet një zgjidhje të përbashkët, sepse populli po pëson për fat të keq. Është ngarkesë e madhe për popullatën”.
Qytetarët e theksojnë faktin se buka është produkt elementar ushqimor, prandaj çmimi i saj do të duhej të mos rritej në nivelin që nuk mund të përballohet.
“Buka nuk duhet me hyp. Njerëzit janë të varfër nuk kanë para. I rëndon shumë qytetarët. Kjo shkon në favor të shtetit jo të popullatës, shteti I ka në dorë duhet të merr masa”.
“Të shtrejta ,shumë të shtrenjta për neve këtu. Skanë njerëzit nuk punojnë, I rëndon shumë”.
Ndërkohë kryetari i grupacionit të mullixhinjëve i OEMVP Ramadan Vejseli tha për televizionin shenja se mullixhinjtë punojnë akoma me grurin që është blerë para disa muajve dhe është paguar me atë çmim të lartë. Ai vlerëson se në teori thuhet se çmimi ka pësuar rënie por praktika nuk e thotë një gjë të tillë si dhe sipas tij çmimet e derivateve të naftës që shfrytëzohen si lëndë djegëse nga bukëpjekësit janë të larta dhe këto shpenzime duhet të mbulohen.
RAMADAN VEJSELI KRYETAR I GRUPACIONIT TË MULLIXHINJËVE NË OEMVP
“Mendoj se tash në sezon ka ra çmimi i grurit, këtë grurë që tash ne e bluajmë nuk është gru i korrjeve të tanishme, është gru që është blerë më parë me çmim më të lartë se sa që është tash. Këtë gru që e kemi marrë ne tani do të bluhet pas një, dy, tre muajve apo pas një viti, sepse gruri mund të ruhet nëpër magazina me vite të tëra, nuk është si artikujt e tjerë, nëse I plotëson kushtet mund të ruhet më gjatë. Një periudhë ka pasur çmin që ka qenë I mbrojtur ku qeveria e ka marre përsipër një gjë të tillë, mielli është shitur pa fitim dhe pa tv-shë , qeveria, shteti ka dorë në këto p.sh nga tatimii I vlerës së shtuar ti largojë këto produkte”.
Sot në tregun botëror gruri kushton më pak se kur nisi lufta në Ukrainë në 24 shkurt. Ky është efekti marrëveshjes që lejoi daljen e grurit ukrainas nga porti i Odesës. Gjatë orëve të fundit nga ky port në Ukrainë u nis një anije tjetër plot me drithëra. Organizata Botërore e Ushqimit njofton se gjatë muajit korrik kanë rënë çmimet e ushqimeve në të gjithë botën. Shenjë që largon parashikimin negativ të OKB-së që njoftonte një krizë urie në disa vende të botës.Në bursën e Çikagos në 20 shkurt një njësi grurë kushtonte 875 dollarë ndërsa në 7 mars kapi kuotën e 1400 dollarëve ndërsa sot po shitet për 776 dollarë 99 dollarë më pak se kur nisi lufta. Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit në muajin korrik çmimi i grurit ka rënë më 14.5 %. Këto çmime priten të reflektohen edhe në produktet e tjera ushqimore në të gjithë globin.
Medina Ajeti /shenja