CNN, në një shkrim ekskluziv, ka treguar se si Kina ka ngritur mbi 100 të ashtuquajtura stacione policore jashtë shtetit, për të monitoruar, intimiduar dhe në disa raste riatdhesuar shtetasit kinezë që jetojnë në migrim.
Kina raportohet se ka përdorur marrëveshje dypalëshe të sigurisë të arritura me shtete në Evropë dhe Afri për të fituar prani ndërkombëtare.
Në mesin e vendeve ku ka stacione janë edhe Kroacia, Serbia, Rumania e Italia.
“Safeguard Defenders” ka treguar se si Kina ka arritur marrëveshje të përbashkët të patrullimit policor me Kroacinë e Serbinë mes viteve 2018 dhe 2019.
Zyrtarët policorë kinezë janë parë duke patrulluar rrugët e Zagrebit në korrik të këtij viti. Një zyrtar policor kroat kishte thënë për agjencinë “Xinhua” se patrullimet ishin për “mbrojtje dhe tërheqje të turistëve të huaj”.
E në një raport të vitit 2019 nga agjencia Reuters thuhet se zyrtarët policorë kinezë i janë bashkuar atyre serbë për të patrulluar në Beograd “e ndihmuar në adresimin e fluksit të turistëve kinezë”.
Një zyrtar serb kishte thënë se kinezët nuk kanë fuqi për të arrestuar.
“Safeguard Defenders” kishte hasur në këto rrjete të policisë kineze ndërsa po përpiqej të vlerësonte shkallën e përpjekjes së Kinës për të bindur disa shtetas t’i kthejë në Kinë edhe kundër vullnetit.
“Ajo që ne shohim që vjen nga Kina është rritje e përpjekjeve për të goditur disidentët kudo në botë, për të kërcënuar njerëzit, intimiduar, dhe për t’u siguruar që janë mjaft të frikësuar në mënyrë që të qëndrojnë të heshtur apo përndryshe do të përballen me kthimin në Kinë kundër vullnetit të tyre”, tha drejtoresha e fushatës “Safeguard Defenders”, Laura Harth.
Raporti ka nxitur reagime në shumë vende.
Muajin e kaluar, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i tha një Komiteti të Sigurisë Kombëtare se është thellësisht i shqetësuar me zbulimet.
Irlanda ka reaguar duke mbyllur stacionin e policisë kineze të gjetur në territorin e saj, ndërsa Holanda, që ka marrë masa të ngjashme, ka nisur një hetim. Po ashtu ka nisur hetime edhe Spanja.