Allahu krijoi jetën dhe vdekjen, për t’i provuar njerëzit se kush prej tyre do të veprojë më mirë, kurse besimin në caktimin e Allahut e bëri shtyllë prej shtyllave të besimit. Nuk lëviz apo qetësohet asgjë në tokë përveç se me lejen dhe me vullnetin e Allahut dhe çdo krijesë në këtë rruzull tokësor nuk ekziston përveç se me caktimin dhe urdhrin e Tij. Dynjaja është e tejmbushur me brenga e turbullira, vështirësi e fatkeqësi, sprova e pengesa që i përngjajnë të nxehtit dhe të ftohtit dhe të cilave robi i Allahut nuk mundet t’i ik e as t’i shpëton asnjëherë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave”. (El-Bekare: 155) Nëpërmjet sprovave del në shesh i sinqerti dhe rrenacaku: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!” (El-Ankebut: 2), dhe shpirti nuk pastrohet vetëm se me sprovim dhe belat janë ato që i dallojnë burrat. Ibën Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai i cili dëshiron që të ketë shëndet dhe siguri të vazhdueshme pa u sprovuar, ai nuk e ka kuptuar realitetin e vështirësive të jetës dhe realitetin e shëndetit”.
Patjetër që çdo shpirt t’i shijojë dhembjet e jetës, pa marrë parasysh a besoi apo mohoi. Jeta është e bazuar mbi vështirësi dhe rreziqe dhe njeriu patjetër do të ballafaqohet me to. Besimtari sprovohet që të pastrohet prej mëkateve e jo të dënohet edhe atë në mirësi e vështirësi: “Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë)”. (El-A’raf: 168) Ekziston mundësia që nëpërmjet asaj që e urren të arrijë e mira dhe ekziston mundësia që nëpërmjet asaj që e do të arrijë e keqja, prandaj mos u siguro se nuk do të vjen e keqja prej të mirës dhe mos u dëshpëro se nuk do të vijë e mira prej të keqes. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”. (El-Bekare: 216)
Përgatite veten për ardhjen e belave para se të ndodhin, se ato kur të godasin duke qenë i përgatitur, është më lehtë për ty që t’i ballafaqohesh. Mos u dëshpëro dhe mos u zemëro prej sprovave e ta nxjerrësh ndonjë fjalë prej goje se ndoshta ajo fjalë do të jetë shkak i shkatërrimit tënd. Besimtari i sinqertë në momentet më të rënda është i përqendruar dhe i vendosur, zemra e tij nuk ndërrohet e as gjuha e tij nuk ankohet. Lehtësoja vetes fatkeqësitë me rikujtimin e shpërblimit të dynjasë dhe ahiretit që ato t’i përballosh pa u ankuar dhe bën durim në to dhe mos i shfaq haptazi ato për shkak se armiku kur e sheh se fatkeqësitë të kanë kapluar kënaqet fort dhe gëzohet shumë. Fshehja e sprovave dhe belave është prej vetive dhe zakoneve të njerëzve të dalluar dhe duke bërë durim në to ato sa më shpejtë largohen. Qëllimi prej fatkeqësive është që ti të bësh durim vetëm disa ditë të numëruara dhe dije se njerëzit nuk janë shkatërruar vetëm se nga humbja e durimit, kurse durimtarët janë shpërblyer me shpërblimet më të mira: “Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë”. (En-Nahl: 96) Dhe ato do të jenë të dyfishuara: “Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar”. (El-Kasas: 54) Madje ato do të jenë të dyfishuara pa llogari dhe Allahu do të jetë me ta, kurse lehtësimi dhe fitorja do të jenë të varur nga durimi i tyre.
O ti i sprovuar, Allahu nuk t’i ka marrë të mirat vetëm se për t’i shtuar ato, nuk të ka sjellë fatkeqësi vetëm se për t’i falur mëkatet dhe nuk të ka vënë në sprovë vetëm se për të bërë prej të zgjedhurve. Njeriu sprovohet me begati dhe begatohet me fatkeqësi, për këtë arsye nëse Allahu prej urtësisë së Tij ta mbyll një rrugë prej rrugëve të Tij dije se me mëshirën e Tij ta hap një rrugë tjetër e cila është shumë më e dobishme për ty. Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave njerëzve të mirë u ngritën pozitat dhe u shtohen shpërblimet. Sad ibën Ebi Vekas, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, se cilët prej njerëzve më së shumti sprovohen dhe ai u përgjigj se: “Pejgamberët, pastaj njerëzit e mirë, pastaj ata të ngjashëm me ta dhe të ngjashëm me ta (ose njerëzit të cilët janë shembull në këtë.) Njeriu do të sprovohet sipas fesë se tij; nëse në fenë e tij ka fuqi do t’i shtohen sprovat, ndërsa, nëse është i butë në fe, do t’i zvogëlohen edhe sprovat. Kështu, besimtari do të sprovohet pandërprerë deri sa të ec nëpër tokë i pastër nga gjynahet”.
Rruga e sprovave është vendkalim i rëndë. Ademi, alejhi selam, në të u lodh e u mundua, Ibrahimi, alejhi selam, u hodh në zjarr, kurse të birin e tij Ismailin e shtriu që ta ther për kurban, Junusin, alejhi selam, e gëlltiti peshku, Ejubin, alejhi selam, e goditi sëmundja e varfëria, Jusufi, alejhi selam, u shit për pak të holla, u hodh në bunar e pastaj u mbyll edhe në burg padrejtësisht, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, u sprovua me sprova të ndryshme dhe mos harro se edhe ti je duke ecur në këtë rrugë, rrugën e belave dhe sprovave. Disa prej dijetarëve thonë se: “Allahu atë që e ka krijuar për në Xhenet i vijnë fatkeqësitë vazhdimisht”.
Sprova më e madhe dhe më e rëndë është ajo në fe, kurse sprovat e tjera janë mëshirë dhe falje mëkatesh, nëpërmjet tyre ngritën gradat dhe pastrohen gjynahet. Mos u mërzit për atë që të kaloi prej dynjasë për arsye se ajo do të zëvendësohet madje edhe me më mirë. Preokupohu me atë që të bën dobi dhe dije se po mos të kishte qenë sprova nuk do t’ia dije vlerën rehatisë e sigurisë, shëndetit e mirësisë. Asnjëherë mos u zemëro me caktimin e Allahut dhe mos thuaj se pse unë sprovohen e tjetri nuk sprovohet për shkak se Allahu i zgjedh për t’i sprovuar ata që i do dhe ata që prej mëkateve dëshiron t’i pastrojë. Mos i humb shpresat në Allahun dhe dije se brenga e fundit është fillimi i lehtësimit dhe se pas çdo vështirësie vinë dy lehtësime.
Jakupi, alejhi selam, kur e humbi Jusufin dhe kjo zgjati një periudhë të gjatë nuk u dëshpërua aspak se do të i vijë lehtësimi e shpëtimi dhe më vonë kur e humbi edhe birin e tjetër nuk i humbi shpresat në Allahun por tha shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjitha, sepse Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nëse belat shtohen e sprovat rëndohen e ditët vështirësohen dhe ty të gjitha rrugëdaljet të mbyllen, prite natën kur të terrohet dhe njerëzit të flenë dhe ngriti duart e tua kah qielli me frikërespekt dhe shpresë e bindje dhe lutju Fisnikut e Bujarit që brengat t’i largon, problemet t’i lehtëson dhe nëse bindja është e fortë dhe zemra është prezentë në dua atëherë thirrja nuk do të refuzohet prej të madhit Allah: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen”. (En-Neml: 62)
Mbështetu në Allahun që ka mundësi të bën çka të donë dhe drejtoju Atij me zemër të frikësuar që t’i hap të gjitha dyert. Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse je i dëshpëruar prej krijesave dhe nuk do prej tyre asgjë drejtoju Allahut se Ai do të jep çdo gjë”. Ibrahimi, alejhi selam, i la Haxheren dhe Ismailin në Meke të vetëm pa ujë pa ushqim dhe Meka në atë kohë ishte e thatë pa burime uji dhe ushqime dhe e urdhëroi familjen e tij ta falin namazin dhe ta japin zeqatin dhe Allahu i furnizoi me ujë dhe ushqim dhe Ismailin e bëri një prej të zgjedhurve të Tij. Junusin, alejhi selam, nuk e harroi kur e thirri nga errësira e barkut të peshkut i penduar dhe tha: “S’ka të adhuruar tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El-Enbija: 87) Dijetarët thonë se nuk e thotë këtë lutje ndonjë prej të sprovuarve vetëm se Allahu ia largon belat dhe sprovën e tij. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë është vërtetuar se ai që e thotë lutjen e Ejubit, alejhi selam: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (El-Enbija: 83), shtatë herë, Allahu ia largon fatkeqësinë e tij.
Lidhe shpresën tënde për Allahun drejtoju Atij dhe kërko prej Tij falje e shpëtim, largoju prej lutjeve të njerëzve dhe lutju Krijuesit të njerëzve. Tento që lutjet e tua t’i drejtosh në kohët kur pranohen duatë si në sexhde, pjesën e tretë të natës, mes ezanit e ikametit dhe mos u dëshpëro prej mëshirës së Allahut edhe nëse zgjat belaja se lehtësimi është shumë afër. Adhuroje Allahun me lutje e me durim dhe kërko prej Atij që i hap të gjitha dyert dhe është Fisnik dhe nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij dhe dije se Ai është Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron. Zekerija, alejhi selam, kur e arriti pleqërinë e thellë iu dhurua Jahja, i cili u bë Pejgamber i Allahut dhe i dalluari i njerëzve. Ibrahimi, alejhi selam, u përgëzua në pleqëri me fëmijë dhe gruaja e tij tha se si do të lindi unë kur jam sterile dhe jemi pleq, por Allahu vepron atë çka dëshiron.
Nëse risku të pakësohet shpeshtoje pendimin dhe istigfarin, se mëkatet janë shkak i dënimeve. Nëse e sheh se duatë e tua nuk pranohen ndoshta nuk ke qenë i sinqertë në pendim tënd, për këtë arsye përmirësoje atë dhe drejtohu me dua se nuk ka bujar më të madh dhe më dorëdhënës se sa Allahu, azze ue xhel. Shpeshtoje dhënien e lëmoshës për arsye se lëmosha e largon dhe të mbron prej belasë. Nëse sprovat të largohen dhe belat të pakësohen shpeshtoje falënderimin ndaj Allahut dhe dije se mos falënderimi në kohën e rehatisë dhe sigurisë është prej sprovave më të mëdha.
Koha nuk mbetet gjithmonë e njëjtë dhe i lumtur është ai që pajiset me devotshmëri. Nëse pasurohet ajo e zbukuron, nëse varfërohet ajo i mjafton dhe nëse sprovohet ajo e dekoron, për këtë arsye pajisu me devotshmëri në çdo gjendje dhe dije se për shkak të saj në vështirësi nuk sheh vetëm se lehtësim, në sëmundje nuk sheh vetëm se shërim dhe në varfëri nuk sheh vetëm se pasurim. Çdo gjë që të godet vjen prej Allahut dhe e jotja mbetet që të pajtohesh me të, të jesh i kënaqur me caktimin Allahut dhe t’i mbështetesh Atij: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”. (Et-Teube: 51)
Shurejhi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk është sprovuar robi me ndonjë sprovë dhe vetëm se prej saj i ka fituar tri begati: Ajo nuk ka qenë në fenë e tij, nuk ka qenë më e madhe se sprova e mëhershme dhe se ajo është dashur patjetër të ndodhë dhe se ajo edhe më herët ka qenë”.
E lus Allahun e Madhërishëm që brengat t’i largon, problemet t’i lehtëson, sprovat t’i zëvendëson me diçka më të mirë dhe nëpërmjet saj gradat t’i lartëson në dynja dhe ahiret.
Dr. Abdulmuhsin El Kasim
Nga arabishtja: Irfan JAHIU