Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit – B. S., A. K., V. B., A. P., A. M., F. C., G.I. dhe D. Th. – që ngarkohen se si grup kriminal, në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Salon”. Atyre u janë shqiptuar më shumë se 28 vjet burgim.
Nga akuza janë liruar tre të tjerë të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në organizim të grupit kriminal, veprime përgatitore të veprës penale “Vrasje e rëndë”, “Detyrimi” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më së shumti është dënuar A. P. me 4 vjet e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Detyrimi”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarimi i rremë”.
A. K., B. S. dhe V. B. janë dënuar me nga 4 vjet burgim secili veç e veç për veprën penale shtyrje në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
F. C., G. I. dhe D. R. janë dënuar me nga 3 vjet burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
A. M. është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkaq, L. B. është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar i narkotikëve dhe substancave narkotike.