RTV AHIRETI
Agjërimi

DHËNIA E FETVAVE PA DIJE

dhenia-e-fetvave-pa-dije

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e ndaloi të folurit për Allahun pa dije në fetva dhe gjykim. Këtë e llogariti prej mëkateve të mëdha, madje prej atyre më të mëdhave. Allahu thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (El-Earaf: 33)!”

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Atij që i është dhënë fetvaja pa dijeni, mëkatin e merr ai që e ka dhënë fetvanë.” Andaj edhe dijetarët për të tillin dhe të ngjashmit me të, e urrejnë që të dalin të japin fetva dhe e parapëlqejnë që të largohen, nga frika e të folurit për Allahun dhe për fenë e Allahut pa dijeni.

Abdullah ibën Amru ibën El-As, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: “Allahu nuk e tërheq dijen prej njerëzve duke e shkulur atë nga gjoksi i tyre, por e tërheq atë me marrjen (vdekjen) e dijetarëve, derisa nuk do të mbetet asnjë dijetar, njerëzit do t’i marrin të padijshmit për udhëheqës, të cilët, kur të pyeten, do t’u përgjigjen pa dije, kështu do të devijojnë vetë dhe do t’i devijojnë të tjerët.”

Abdurrahman ibën Ebu Lejla për sahabët thoshte: “Kur pyetej dikush prej tyre për ndonjë mesele, e drejtonte te tjetërkush, e ai tjetri e drejtonte te tjetërkush, derisa sërish kthehej te i pari.”

Ebu Husain Uthman ibën Asim, tabi’ini i dalluar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ndonjëri prej juve jep (lehtë) fetva për ndonjë pyetje, që, nëse për të do të pyetej Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, do t’i tubonte ata që kanë luftuar në Bedër për t’u konsultuar me ta.”

Abdurrezak Sanë’anij përcjell prej Ma’mer, i cili thotë: “E pyeti një burrë Amru ibën Dinarin për një mesele, por nuk iu përgjigj. Burri i tha: ‘Përgjigju, sepse kam nevojë për ta ditur këtë mesele?’ Ibën Dinari i tha: ‘Poqë nevoja jote është sa mali Ebu Kubejis, për mua më e dashur është që të mos kem nevojë për të as sa qimja’. ”

Ibën Mehdij, Allahu e mëshiroftë, përcjell se një burrë e pyeti Malik ibën Enesin, Allahu e mëshiroftë, për një mesele dhe imam Maliku u ndal më gjatë ta mendonte për përgjigjen. Pyetësi filloi të këmbëngulte që sa më shpejt ta merrte përgjigjen, derisa imam Maliku i tha: “Mashallah! O ti njeri, unë nuk i përgjigjem veç asaj që e di mirë, ndërsa për pyetjen tënde nuk kam njohuri që t’i përgjigjem.”

Ibën Vehbi, Allahu e mëshiroftë, përcjell se e ka dëgjuar imam Malikun duke thënë: “Ngutja në fetva është një lloj e padijes dhe budallallëkut. Thuhet se mosngutja vjen prej Allahut, kurse ngutja vjen prej shejtanit.”

Muhamed ibën El-Munkedir, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dijetari qëndron në mes Allahut dhe krijesave të Tij, andaj le të shikojë se si do të hyjë në mes.”

Jahja ibën Seid, Allahu e mëshiroftë, tregon për Seid ibën El-Musejjib që gati çdo herë kur jepte fetva, nuk dëgjohej duke thënë diçka tjetër përveç fjalëve: “O Allahu im, më shpëto mua dhe shpëtoji të tjerët prej meje.”

Ai që jep fetva, nëse e di për veten e tij se nuk është kompetent për të dhënë fetva shkaku i mungesës së ndonjë kriteri ose prezencës së ndonjë pengese dhe njerëzit nuk e dinë këtë për të, atij pa dyshim që në këtë gjendje i ndalohet t’u japë fetva njerëzve. I mençur është ai që njerëzit i drejton për te dikush tjetër të kërkojnë fetva, kur e di që tjetri është më i mirë se ai.

Ibën Mein, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ahmak është ai që flet për shkencën e hadithit në një vend ku ka më meritorë se ai në fushën e hadithit.”

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk kam filluar të jap fetva derisa kanë dëshmuar për mua shtatëdhjetë dijetarë se jam kompetent për dhënien e fetvave.”
Ibën Ujejne dhe Sehnun, Allahu i mëshiroftë, thanë: “Më i guximshëm që të japë fetva është ai që ka më së paku dije.”

Sehnun, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më fatkeq është ai që e shet ahiretin e tij për dynjanë e tjetrit, si dhe sprova e përgjigjes së saktë është më e rëndë se sprova e pasurisë.”

Sufjan Eth-Theurij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kam takuar dijetarë që urrenin t’u përgjigjeshin meseleve dhe fetvave, përveç atëherë kur e kishin të patjetërsueshme të jepnin fetva. Më i dituri për dhënin e fetvave është ai që më pak flet për to, ndërsa më i padituri për dhënien e fetvave është ai që më shumë flet në to.”

Rebia qau një ditë dhe e pyetën se pse po qante. U përgjigj: “E pyetën atë që nuk ka dijeni dhe u paraqit në Islam një dëm i madh. Disa që japin fetva janë më meritorë të burgosen sesa vjedhësit.”

Ebu Musa tha: “Kujt Allahu i ka dhënë dijeni, le t’ua mësojë atë njerëzve. Mjerë për të nëse u flet për diçka pa dijeni, e me këtë e ngarkon veten derisa ta rrezikojë fenë e tij.”

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të parët tanë prej sahabëve dhe tabi’inëve e urrenin ngutjen në dhënien e fetvave, çdonjëri prej tyre dëshironte që fetvanë ta jepte dikush tjetër e, nëse e shihnin që duhej patjetër të jepnin fetva, atëherë e jepnin mundin e tyre maksimal për ta mësuar dispozitën prej Kuranit dhe Sunetit ose prej fjalëve të kalifëve të drejtë, e pastaj e jepnin fetvanë.”

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri “Frenat”, është i përkthyer në gjuhën shqipe).




Related posts

QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

admin

EDUKIMI I VAJZAVE

rezart morina

Qëndrim Ibrahimi

admin